Kryeministri Edi Rama mbajti mesditën e sotme një takim me kryebashkiakët për sfidat e bashkive për 2026, sezonin turistik dhe betejat e përbashkët politike e shoqërore kundër mbetjeve plastike.
Kryeministri Rama tha se derdhja e plastikës është krim qytetar, duke theksuar dëmet e pariparueshme për jetën detare dhe ushqimin. Ai njoftoi krijimin e një task-force qeveri–pushtet vendor për të hartuar një plan tre-fazor nga sensibilizimi te veprimi konkret.
“Para disa ditësh, kryetarja e Bashkisë së Durrësit më dërgoi një video që tregonte se si po mbushej pika në Shkozet, pasi ishte ripastruar në kushte bllokimi.
Kur gjendemi përballë kësaj situate agresioni plastik, që është drejtpërdrejt ndikim i njeriut, duhet të angazhohemi për të ndërmarrë një ofensivë të përbashkët dhe për të përfshirë sa më shumë komunitetin, në mënyrë që ta vëmë nën kontroll këtë faktor kaq të dëmshëm.
Plastika derdhet në det dhe shkakton dëme të pariparueshme për jetën detare dhe për cilësinë e ushqimeve tona. Duhet të bëjmë gjithçka për ta ndalur këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare.
Ky është një krim shqiptar. Nuk duhet të kërkojmë fajtorë te turistët spanjollë, japonezë apo gjermanë. Duhet të marrim masa konkrete dhe për këtë arsye i kam kërkuar ministrit të Pushtetit Vendor të ngrejë një task-forcë mes qeverisë dhe pushtetit vendor, për të konceptuar një plan me tre faza, që nga sensibilizimi deri te veprimi konkret.”


