Lëkundet rekordi i Shqipërisë, INSTAT: Ulet numri i kafeneve

schedule19:15 - 25 Shkurt, 2019

schedule 19:15 - 25 Shkurt, 2019

Shqipëria mban rekord në botë për numrin e kafeneve në raport me popullsinë. Megjithatë të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se edhe ky biznes ka nisur të falimentojë. Këtë e tregon numri në rënie i bare-kafeneve që janë mbyllur.

Me dashuri dhe domosdoshmëri shprehen konsumatorët e kafes nëpër botë. Në Shqipëri ajo që përdoret më shumë është kafe e muhabet.

E shndrruar në stil jetese kafenetë u bënë biznesi më fitimprurës dhe më i përhapur në vend duke na renditur si vendi i parë në botë për numrin e lartë të bar-kafeve në raport me popullsinë.

Sipas Monitor nëse e gjithë popullsia ulet njëkohësisht në bar-kafetë dhe restorantet që ndodhen në gjithë vendin, ato mund të akomodojnë gati 660 mijë persona, ose një të katërtën e popullsisë.

Por edhe ky biznes duket se po mëson cështë falimentimi. Këtë e tregojnë të dhënat e fundit të INSTAT sipas të cilës për herë të parë në 2017-n, numri i bar-kafeneve ka ardhur në rënie. Në vend kishte gjithsej 14,217 bar-kafe, duke u ulur me 4%, ose në vlerë absolute kishte 602 bar-kafe më pak në vend. Kjo rënie shënohet për herë të parë që nga viti 2009, kur INSTAT raporton të dhënat. Në atë kohë në vend kishte vetëm rreth 8,600 bar-kafe, por numri i tyre u rrit me shpejtësi vit pas viti, duke arritur rekordin në 2016-n, me 14,820 të tilla, për të rënë vitin e mëpasshëm.

Në total, numri i vendeve në bare e restorante ra me 10% në 2017-n, në raport me vitin e mëparshëm. Megjithatë vazhdojmë të mbajmë Rekordin në botë për kafenetë në raport me popullsinë

Në Shqipëri ka 640 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas përllogaritjeve të “Monitor”, ose 1 bar kafe për 156 banorë. Në krahasim me 2016-n ka një rënie të lehtë të treguesit, për shkak të mbylljes së 600 bar-kafeneve.

Në vitin 2016, Shqipëria ia kaloi edhe Spanjës për këtë tregues, e cila deri tani mbante rekordin në Bashkimin Europian  dhe në botë për numrin e lartë të bar-kafeve për banorë, me 592 bar kafe për 100 mijë banorë, ose një bar-kafe për 169 banorë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!