Erling Haaland është një “gjahtar” goli dhe do të shkojë shumë larg me mentalitetin e fortë që ka. Sulmuesi norvegjez la Salzburg në janar për t’u transferuar te Borussia Dortmund dhe këtë sezon numëron 40 gola të shënuar në të gjitha kompeticionet.
Një shifër e jashtëzakonshme kur mendon se është vetëm 19 vjeç. Habitesh edhe më shumë kur dëgjon se sa i qartë dhe i përulur që është. Bomberi viking ka talent edhe në kokën e tij, jo vetëm në këmbë, dhe diçka e tillë dallohet nga fjalët që thotë për Eurosport.
“Koha është gjithçka. Përpara se të zgjedhësh një klub, duhet të jesh i qartë se sa i fortë je, nëse klubi është i mirë, kush punon atje, si do t’ju trajtojnë, si mund të rritesh e përmirësohesh aty… Ka shumë faktorë për t’u marrë parasysh.
Kisha shumë oferta në momentin që zgjodha Salzburg, por e kuptova shumë shpejt që klubi austriak ishte i duhuri për mua. Gjithmonë kam tentuar të mos mbivlerësohem, sepse ka shumë futbollistë të fortë në qarkullim.
Ndihem mirë me veten, po përjetoj një ëndërr, edhe pse ka pasur raste kur nuk kam luajtur mirë në të kaluarën. Sot jam i lumtur dhe rrethohem nga persona të shkëlqyer. E përsëris gjithmonë që ky është vetëm fillimi, ka akoma shumë rrugë përpara meje”, përfundon Haaland. /abcnews.al