Nga dita e enjte qytetarët në Kosove do të mund të lëvizin pa asnjë kufizim për 16 orë në ditë, nga ora 5:00 e mëngjesit deri në orën 21:00 të mbrëmjes.
Po ashtu do të hapen xhamitë e kishat. Vendimi është marrë këtë të hënë nga qeveria e vendit, pas më shumë se dy muajsh në karantinë.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia beri të ditur lajmin gjatë një konference për gazetarët në Prishtinë, bashkë me kreun e Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, drejtuesin e Ipeshkvisë, Dodë Gjergji, si edhe autoritetet e Shëndetësisë që kryesojnë task-forcën për menaxhimin e situatës së pandemisë.
Vitia lajmëroi gjithashtu se në fund të muajit pritet të mbyllet edhe qendra që shërben si kartantinë në konviktet e studentëve në Prishtinë.
Vitia u shpreh:
“Deri në fund të këtij muaji do të hiqet edhe karantina, në përputhje me situatën e re epidemiologjike në vend, dhe në bashkërendim me veprimet e shteteve të rajonit, por jo vetëm, edhe më gjerë. Në fazën e tretë parashihen masa të reja lehtësuese që do të çlirojnë edhe më tepër ekonominë”.
Faza e tretë e lehtësimit të masave fillon më 1 qershor, kur pritet të këtë edhe një rishqyrtim të situatës nga autoritetet shëndetësore.
Aktualisht, në Kosovë janë prekur nga Covid-19, 1.038 persona. Që nga nisja e pandemisë e deri në 24 orët e fundit, kanë humbur jetën 30 të infektuar. /abcnews.al/