“Legjionari” nuk i ndahet kategorisë së dytë spanjolle, Keidi Bare pranë kalimit te Zaragoza

schedule15:56 - 24 Korrik, 2024

schedule 15:56 - 24 Korrik, 2024

Do të kishte dashur shumë të kishte luajtur në elitë.

Për fat të keq, Keidi Bare nuk do ta realizojë dot këtë ëndërr të paktën për sezonin që po nis, gjithsesi, e rëndësishme është që mesfushori I kombëtares shqiptare e gjeti ekipin e tij të ri dhe ky është sërish në Spanjë.

Bare do të jetë lojtar i Real Zaragoza në ligën e dytë spanjolle, aty ku luajti vjet për “Bardheblutë” e Espanyol, teksa sipas raportimeve më të fundit të mediave spanjolle, mes palëve është arritur akordi për aspektin financiar dhe për kohëzgjatjen, pasi kontrata do të jetë 3-vjeçare me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër.

Vizitat mjekësore janë normalisht një formalitet dhe po ashtu firma në kontratë thjesht konkretizon atë për të cilën është rënë dakord.

Bare luajti edicionin e kaluar për 27 ndeshje si titullar tek Espanyol, duke shërbyer 3 asistë, e duke ndihmuar ekipin që të ngjitej në La Liga, aty ku shpresoi shumë të luante këtë sezon, por nuk gjeti dot gjuhën e përbashkët me klubin katalanas.

Në 4 vjet në Spajnë, mesfushori i lindur në Fier në gusht të 1997-ës ka luajtur dy sezone në La Liga dhe dy në ligën e dytë.

Natyrisht, ai është ende i ri dhe karriera vazhdon, e nëse nuk do ta pengojnë dëmtimet, mund ta realizojë dëshirën e tij të madhe. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!