“Legjionarët” nisen drejt Çekisë, sot konferenca dhe stërvitja e fundit para sfidës së 7 shtatorit

schedule10:36 - 6 Shtator, 2023

schedule 10:36 - 6 Shtator, 2023

Pas përfundimit të stërvitjes së fundit në Tiranë, Kombëtarja shqiptare është nisur mëngjesin e kësaj të mërkure drejt Pragës, aty ku mbrëmjen e së enjtes do të ndeshen me përfaqësuesen e Republikës Çeke, në përballjen e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit evropian, “Euro 2024”.

Sipas axhendës të publikuar më herët nga FSHF, pasditen e sotme, më konkretisht në orën 17:15, nga ambientet e stadiumit “Fortuna Arena”, në Pragë, do të dalë në konferencën e zakonshme për mediat tekniku Sylvinho dhe një lojtar i ekipit kombëtar.

Përsa i përket stërvitjes, seanca e fundit do të zhvillohet vetëm pak minuta pas përfundimit të konferencës për shtyp, me “kuqezinjtë” që kanë nevojë të përshtaten me fushën kundërshtare, ku padyshim dhe eksperienca e mesfushorit Qazim Laçi në kampionatin çek do të ndikojë jo pak.

Ndërkaq, kthimi i Kombëtares në Tiranë do të bëhet menjëherë pas ndeshjes në Çeki dhe të premten pritet që “legjionarët” t’i rikthehen stërvitjes, kësaj radhe në kuadër të përballjes me Poloninë, mbrëmjen e 10 shtatorit, në “Air Albania”.  /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!