Lebron Xhejms padyshim është një nga lojtarët më të mirë të basketbollit në të gjitha kohët. Në Amerikë, tashmë po bëhet pyetja, nëse ai do të jetë në gjendje të cilësohet si numri 1, duke lënë pas legjenda si Majkëll Xhordan apo Bill Rasëll.
I duhen edhe vetëm 150 pikë që të arrijë shifrën 30 000.
Lebron Xhejms për fare pak ndeshje, dhe gjatë këtij sezoni, do të bëhet pjesë e atij që në zhargonin e NBA-së quhet “klubi ekskluziv” i shënuesve më të mirë në histori.
Përpara tij mbeten vetëm Dirk Novicki, Uilti Çembërlen, Majkëll Xhordan, Kobi Brajant, Karl Maloun dhe ai që duket i paprekshëm, Karim Abdyl Xhabar me mbi 38 000 pikë.
Tri herë kampioni i NBA-së do të mbushë këtë vit 33 vjeç, dhe shumëkush pyet sesa vite do të mundë ai të luajë në nivele të larta.
Ndoshta 3 apo 4 vjet të tjerë, dhe kjo mund ta ndihmojë të arrijë të paktën deri në vendin e tretë dhe të jetë në podium.
Lebron pati një tjetër ndeshje magjike pikërisht përballë Orlando Mexhik, duke shënuar 33 pikë, kapur 10 topa në tabela e shërbyer 9 pasime për kosh, po ashtu duke vjedhur 6 topa.
Aftësia e tij, dihet se, nuk është vetëm të shënojë, por ai pëlqen edhe të shërbejë për shokët.
Me talentin e tij të madh, ylli i Klivlendit është në vendin e 12 të të gjitha kohëve në renditjen e asisteve me mbi 7 800 të tillë.
Me shumë gjasa do të arrijë të hyjë jovetëm në 10 më të mirët, por të synojë të jetë në pesëshe.
Ndonëse do të duhen ende disa vite përpara se ai ta mbyllë karrierën, pyetjet janë se ku do të renditet Lebron Xhejms në listën e yjeve më të mëdhenj të basketbollit amerikan?
Ndoshta do të duhet të fitojë edhe ndonjë titull tjetër që do të krahasohet denjësisht me Majkëll Xhordanin apo me Bill Rasëllin./abcnews.al