Lebron Xhejms u prit si hero në rikthimin e tij në Klivlend. Tifozët e brohoritën, edhe pse ai erdhi si kundërshtar me skuadrën e tij, Los Anxhelos Lejkërs.
Sa ndryshe në krahasim me 8 vjet më parë. Lebron Xhejms u prit këtë herë si hero, në rikthimin e dytë si kundërshtar në Klivlend. Sa e madhe ishte armiqësia kur ishte lojtar i Majemit, aq e madhe dashuria tani me fanelën e Lejkërsave. Publiku nuk ia harroi titullin kampion dhe 4 finale radhazi, ndonëse Lebroni ishte faktori kryesor që skuadra vendase u mund këtë herë.
Përballja ishte dramatike, me Xhejmsin që ishte sërish në nivelin e tij më të lartë, duke shënuar 32 pikë, e duke kapur 14 topa në tabela. Basketbollisti numër 1 i botës ndihmoi Lejkërsat që të fitonin një ndeshje që dukej e humbur, dhe në të cilën u ndodh në 9 pikë dizavantazh. Numri 23 shërbeu edhe 7 pasime për kosh, ndërsa skuadra nga Kalifornia ia doli me rezultatin përfundimtar 109-105.
Nën udhëheqjen e tij, Lejkërsat arritën fitoren e gjashtë në 7 ndeshjet e fundit, duke qenë në pozicionin më të mirë në NBA që nga viti 2013. Në përfundim të ndeshjes, klubi vendas, Klivlend Kavaliers, kishte përgatitur një video me kontributin e Xhejmsit brenda dhe jashtë fushe, duke ndihmuar ekipin dhe qytetin.
“Ishte shumë e rëndësishme që tifozët më pritën në këtë mënyrë, në rikthimin tim, – tha Lebroni, – për 11 vjet unë dhashë gjithçka për klubin dhe skuadrën, dhashë gjithçka në fushë dhe jashtë saj. U përpoqa të isha lojtari më i mirë, dhe shembulli më i mirë për fëmijët dhe për qytetarët tanë. Ata ma shpërblyen me këtë pritje”.
Superylli 33-vjeçar shpreson të fitojë tituj me Los Anxhelos Lejkërsat, në vitet e mbetura të karrierës./abcnews.al