Lebron Xhejms u ngjit në vendin e gjashtë në renditjen e shënueve të të gjitha kohëve në basketbollin amerikan. Gjithsesi, edhe pse shënoi 35 pikë, pësoi humbje në duelin me San Antonion.
I madhi Karim Abdyl Xhabar mund të jetë afër, por për të tjerët, kampioni i sotëm nuk është larg. Lebron Xhejms kaloi gjermanin Dirk Novicki duke u ngjitur në vendin e 6-të në renditjen e shënuesve të NBA-së për të gjitha kohët.
Lideri i ri i Los Anxhelos Lejkërsave ia doli pasi realizoi 35 pikë në duelin e fortë me San Antonion, duel që për fat të keq përfundoi me humbje. Lebron ka tani 31.202 pikë në karrierë, ndaj 31.187 të Novickit, ndërsa jo larg janë dy legjenda si Uilt Çembërlen dhe Majkëll Xhordan. Numri 23, përveç 35 pikëve të shënuara, kapi edhe 11 topa në tabela, shërbeu 4 pasime për kosh dhe vodhi 2 topa. Mjaft mirë luajtën edhe Kuzma, Rondo apo Stefenson.
Paraqitja e madhe e Xhejmsit, gjithsesi, nuk mjaftoi për formacionin e lavdishëm nga Kalifornia, që u mund 106-110. San Antonio, e drejtuar me mjeshtëri dhe përvojë nga trajneri Greg Popoviç, ruajti gjakftohtësinë edhe në momentet më të vështira, kur kundërshtari ishte në epërsi të ndjeshme. Spërsat e patën edhe ata heroin e tyre dhe ky ishte Demar Derozan që shënoi 30 pikë, kapi 12 topa në tabela, shërbeu 8 pasime për kosh, vodhi 2 topa dhe bllokoi një gjuajtje. Basketbollisti 29-vjeçar nuk u dorëzua dhe luftoi për çdo top, në të dyja tabelat, duke qenë vendimtar.
Falë vendosmërisë së tij, edhe lojtarët e tjerë të San Antonios luajtën shumë mirë, siç bënë Olldrixh, Forbs apo Pau Gasol. Lejkërsat ende nuk po mundin të jenë fitues, dhe ndodhen në vendet e fundit në Konferencën Perëndimore, me vetëm 2 suksese e 4 humbje. San Antonio, që mbetet në tranzicion, është e renditur më mirë, në vendin e 6-të./abcnews.al