Lebron Xhejms ishte më i miri ndaj Miluokit

schedule12:51 - 20 Dhjetor, 2017

schedule 12:51 - 20 Dhjetor, 2017

Lebron Xhejms provoi shijen e një tjetër disfate në këtë sezon të basketbollit amerikan. Lojtari më i mirë i botës po ashtu humbi duelin me njërin prej rivalëve të tij më të mëdhenj.

Padyshim ishte më i miri në fushë.

Lebron Xhejms nuk e vuri veten aspak në diskutim në parketin e Arenës së Miluokit, por sërish skuadra e tij doli e humbur.

Klivlendi u mund nga vendasit e udhëhequr nga rivali i tij i ri, Janis Antetokumpo, pas një dueli të fortë që u mbyll me shifrat 119-116.

Xhejms shënoi 39 pikë, në një tjetër mbrëmje të shkëlqyer në karrierë, si dhe shtoi 7 asistë, 3 vjedhje topi dhe dy bllokime gjuajtjesh.

E vetmja gjë që nuk bëri në Miluoki ishte kapja e topave në tabelë, një element ku vendasit ishin më të fortë.

Përballë Lebronit ishte 23-vjeçari Antetokumpo, potencialisht kundërshtari i tij më i fortë në NBA.

Shtatlarti me pasaportë greke shënoi më pak se Xhejmsi, 27 pikë, por kapi 14 topa në tabela, shërbeu 8 asistë si dhe vodhi dy topa, duke pasur më shumë ndikim në lojën e vendasve.

Kjo ishte fitorja e parë e Miluokit ndaj Klivlendit këtë sezon, pas dy humbjeve në tetor e nëntor, ndeshje në të cilat Antetokumpo luajti më mirë sesa Xhejmsi, por nuk ia doli.

Këtë herë rolet u përmbysën.

Kjo ishte humbja e 9-të e Kavaliersëve këtë edicion, duke I lënë dy disfata larg Bostonit që kryeson Konferencën Lindore të NBA-së.

Pavarësisht formës së mirë të nënkampionëve në fuqi, ata janë ende larg nivelit të Hjustonit apo Golden Stejtit, ekipeve më të mira të Konferencës Perëndimore./abcnews.al