Në moshën 35-vjeçare as nuk mund të mendohet se ka marrë fund, por gjithsesi e di se nuk i ka mbetur shumë kohë në dispozicion. Pasi provoi fatin me Cleveland Cavaliers, ekipin e tij të fëmijërisë, pastaj me Miami Heat e sërish me Cleveland, LeBron James duket se është lidhur përjetë me Los Angeles Lakers.
Ylli më i madh i basketbollit të kohës sonë dhe kandidat për të qenë më i miri për të gjitha kohërat, ra dakord që të rinovojë edhe 2 vite të tjera me “Liqenasit”, deri në 2023, kur të jetë në moshën 39-vjeçare.
Praktikisht, për gjithë karrierën që i mbetet. Rroga është ajo maksimale, 85 milionë USD për dy vite. “Po”-ja e Lebron pritet të sjellë “po”-në e Anthony Devis, si dhe ndonjë përforcim tjetër për Lakers. Në 3 vitet e ardhshme “Mbreti i koshit” dëshiron të sulmojë rekordin e Michael Joprdan që ka 6 tituj kampion në NBA.
Natyrisht, rekordin e vërtetë e ka Bill Russell i Boston Celtics me 11 tituj dhe ai nuk mund të barazohet, por Lebron ka vetëm Michael Jordan si rival për titullin e më të madhit të historisë. Sot, ai ka 4 “unaza”, nëse fiton në 3 sezonet e ardhshme do të thotë se arrin në 7, një më shumë sesa “Ajrori Xhordan”.
James doli kampion me Miami Heat në vitet 2012 e 2013, më pas me Cleveland Cavaliers në vitin 2016 dhe këtë sezon me Lakers. Ai mban shumë rekorde në karrierë, ndërsa vlerësohet si një nga lojtarët më të kompletuar të të gjitha kohërave, përsa i përket pikëve, topave të kapur në tabelë, asisteve si dhe lojës në sulm e në mbrojtje. /abcnews.al