Kur ata janë në formë, përfundimi është një ndeshje spektakli dhe emocionesh pa fund. LeBron James dhe Stephen Curry u kthyen ata të disa viteve më parë, kur dominonin parketet e NBA, duke prodhuar një nga ato sfida që e bëjnë këtë fundit kampionatin më të bukur dhe më të fortë të basketbollit në botë.
Por në fund e gjithë festa ishte për “Mbretin” dhe Los Angeles Lakers, që triumfuan në transfertën e Golden State me vetëm një pikë diferencë dhe pas një kohe shtesë në rezultatin e përgjithshëm 144-145.
LeBron James bëri paraqitjen e tij më të mirë në këtë sezon, të kurorëzuar me tre shifra dopjo, 36 pikë, 20 topa të kapur në tabelë dhe 12 asist për shokët e tij. Thuajse në të njëjtin nivel edhe dy yjet e tjerë të Lejkërs, Anthony Davies dhe D’Angelo Rusell, përkatësisht me 29 dhe 28 pikë të shënuara. Nga ana tjetër, për Warriors nuk mjaftoi ndeshja më e mirë sezonale për Stephen Curry. Kapiteni i Golden State shënoi 43 pikë, por nuk arriti të evitonte humbjen e skuadrës së tij.
Në mbrëmjen e fundit të NBA erdhi rënia e kryesuesëve të Konferencave.
Në Lindje, Boston u ndal në shtëpi nga Los Angeles Clippers, që dhuruan edhe suprizën më të madhe me fitoren 96-115 në “TD Garden”. Kawhi Leonard ishte njeriu I suksesit për skuadrën kaliforniane me 26 pikë. Nga ana tjetër, për Celtics, nuk mjaftoi paraqitja e zakonshme e Jayson Tatum me dy shifra dopjo, 21 pikë dhe 11 topa të kapur në tabelë.
Edhe kryesuesit e Perëndimit, Minnesota kaloi një mbrëmje të keqe me humbjen dramatike me vetëm një pikë diferencë 113-112 në fushën e San Antonio. Anthony Edwards shënoi 32 pikë dhe kapi 12 topa, port ë pamjaftueshme për skuadrën e tij. Për Spurs, Wembanyama mori rolin e liderit në këtë sukses, duke mbyllur sfidën me dy shifra dopjo 23 pikë dhe 10 ribaund për të zotët e shtëpisë. /i.m /abcnews.al