“Le t’i ndihmojë si klube fasone” Duka reagon pas deklaratës së Edi Ramës

schedule16:28 - 1 Prill, 2020

schedule 16:28 - 1 Prill, 2020

Efekti i koronavirusit ka filluar të ndihet edhe në botën e futbollit. Klubet shqiptare janë tepër të brishta në aspektin financiar dhe kërkojnë një ndihmë nga qeveria në këto momente të jashtëzakonshme.

Bylis, Laçi dhe Vllaznia reaguan duke sjellë shembullin e Kosovës, vend në të cilin Ministria e Sporteve akordoi një fond prej 5 milion eurosh për përballimin e krizës. Gjithsesi, kryeministri Edi Rama hodhi poshtë mundësinë dhe i dha fund shpresave të klubeve shqiptare.

Klubet e futbollit deklarojnë paga të rreme, sikur janë kompani fasone dhe japin paga të majme. Kjo nuk është koha për të ndihmuar futbollin, por koha për të ekzistuar. Klubet e futbollit duhet të garantojnë ekzistencën dhe jo fitimin e munguar”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.

Pas komentit të tij ka reaguar Armand Duka. Presidenti i FSHF-së flet qartë në një prononcim për A1 Report, aty ku sqaron problematikën e krijuar në futbollin shqiptar dhe fton Ramën t’i ndihmojë klubet për aq sa deklarojnë.

Në fakt nuk e kam dëgjuar atë që ka thënë kryeministri sot, por ajo çfarë ne kemi kërkuar është që t’i sigurohet një minimum jetik futbollistëve, një minimum jetik këtyre njerëzve që merren me futbollin. Nëse ka keqinterpretime sipas dëshirave të njerëzve nuk bëhet fjalë për futbollistë të pasur, bëhet fjalë për njerëz që duhet të mbijetojnë dhe ta kalojnë këtë situatë.

Kur flasim për futbollistë, trajnerë e tjerë, nuk janë vetëm atë të Kategorisë Superiore, por janë shumë të tjerë të Kategorive më inferiore që futbollin e kanë profesion. E para kryeministri bën mirë mos t’i bëjë këto deklarata, sepse e komandon ai qeverinë dhe le t’i kontrollojë. E dyta, le t’i japë aq sa deklarojnë. Nëse deklarojnë sa një fason, le t’u japë sa një fason”, përfundon Duka. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!