Lë qelinë e burgut të Drenovës Gert Gjinarari

schedule10:55 - 18 Shkurt, 2019

schedule 10:55 - 18 Shkurt, 2019

45-vjeçari Gert Gjinarari, i dënuari me burgim të përjetshëm u la i lirë mbrëmjen e së shtunës, pas vendimit të Gjykatës së Korçës. Disa ditë më parë, vendimi i togave të zeza për lirimin e tij me kusht, shkaktoi përplasje mes gjykatës dhe prokurorisë.

Ka fituar lirinë, duke lënë qelitë e burgut të Drenovës, i dënuari me burgim të përjetshëm Gert Gjinarari.

45-vjeçari u la i lirë mbrëmjen e së shtunës, pas nxjerrjes së urdhërit të ekzekutimit nga Prokuroria e Korçës. Gjinarari, një nga emrat e njohur të botës së krimit, përfitoi liri me kusht nga Gjykata e Korçës në 14 Shkurt, por Prokuroria e mbajti edhe 48 orë të tjera në qeli, edhe pse gjykata kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm.

45-vjeçari, i njohur ndryshe si “Gjenerali” u dënua me burgim të përjetshëm nga një gjykatë italiane në vitin 1997, pasi vrau “të fortin” e Tiranës, Naim Zyberi dhe në vitin 2014 u ekstradua në Shqipëri, ku Gjykata e Tiranës la në fuqi vendimin me burgim të përjetshëm.

Pasi vuajti edhe katër vite të tjera në burgun e Drenovës, Gjinarari kërkoi liri me kusht, kërkesë që u pranua nga Gjykata e Korçës. Prokuroria refuzoi të nxirrte urdhrin e ekzekutimit, për shkak të disa pasaktëive, të cilat e bënin të pamundur vijimin e procedurave të lirimit të Gjinararit.

Pas korrigjimit të gabimeve, gjatë një seance të posaçme në Gjykatën e Shkallës së Parë, Prokuroria nxorri urdhrin e ekzekutimit dhe pas kryerjes së procedurave administrative nga burgu i Drenovës, ai u la i lirë.

Prokuroria e Korçës ka apeluar vendimin e gjykatës, që liroi me kusht 45-vjeçarin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!