“Le Iene” reagojnë pas shpëtimit të Alvinit

schedule11:07 - 7 Nëntor, 2019

schedule 11:07 - 7 Nëntor, 2019

“Alvin i vogël është më në fund i lirë ! Pas pothuajse një muaji frikë dhe ankth për fëmijën 11-vjeçar shqiptar, të sjellë nga nëna e tij në 2014 në territoret e Shtetit Islamik në Siri, ka mbërritur lajmi i shumëpritur”.

Kështu e ka nisur shkrimin media e “Le Iene” dedikuar vogëlushit shqiptar, Alvin Berisha. Rasti i tij bëri jehonë në të gjithë mediat e dy vendeve fqinje.

“Alvin Berisha, ky është emri i fëmijës që ju prezantuam në raportimin e Luigi Pelazza, i cili tashmë është në duart e ekspertëve të Gjysmëhënës së Kuqe dhe të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, të cilët do të bëjnë të mundur sjelljen në Itali të vogëlushitn Alvin. Në foton që shihni është duke buzëqeshur menjëherë pas lirimit  të tij.

Historia tragjike e Alvinit të vogël u ngrit nga “Le Iene”. Lindur në Itali nga prindër shqiptarë, Alvin u mor nga nëna e tij në vitin 2014: gruaja vendosi të ikte në Siri, dhe të shkonte të jetonte në territoret e kontrolluara nga Shteti Islamik.

Pas një pritjeje pafund, babai dhe djali mblidhen në një përqafim të fuqishëm. Skena është e gëzueshme dhe zemëruese në të njëjtën kohë: fëmija është i hutuar, ai duket larg, por ai menjëherë njeh babanë e tij.

Zhgënjimi është shumë i madh, kur Alvin i vogël e kupton se nuk mund të shkojë menjëherë në shtëpi me babanë e tij, sepse asnjë autoritet duket se nuk dëshiron të na ndihmojë ta largojmë atë nga atje.

Në radhë të parë autoritetet shqiptare, ambasadori i të cilëve në Turqi, në fillim thotë se duan të na ndihmojnë, dhe pastaj të mbyllin telefonin në fytyrë. Gjithsesi thirrjeve për shpëtimin e Alvinit, iu bashkuan edhe Rajoni i Lombardisë e Liguria.

Tani, pas shërbimit tonë dhe thirrjeve të “Le Iene” drejtuar Kryeministrit Giuseppe Conte dhe Ministrit Luigi Di Maio, Alvin është më në fund i lirë të përqafojë babanë e tij Afrimin. Në foton më poshtë, po shihni vogëlushin menjëherë pas lirimit të tij, me një nga anëtarët e gjysmëhënës së kuqe Siriane”, shkruan “Le Iene”.

Alvin Berisha, njëmbëdhjetë vjeç, ishte marrë nga Italia nga nëna e tij, e cila i ishte bashkuar ISIS-it. I ati i tij kishte humbur gjurmët e të birit që nga viti 2014, por “Le Iene” me gazetarin Luigi Pelazza, e kishte gjetur vogëlushin brenda kampit sirian të “Al Hol”. Në këto momente Alvin është në duart e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Ky është artikulli, i cili ka përcjellë “Le Iene” ditën e sotme për vogëlushin që tronditi gjithë shqiptarët por jo vetëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!