LDK për grevën në shkolla: Shkak i papërgjegjësisë dhe paaftësisë së Qeverisë Kurti

schedule15:28 - 1 Shtator, 2022

schedule 15:28 - 1 Shtator, 2022

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka fajësuar Qeverinë Kurti për mosfillimin e vitit të ri shkollor 2022/2023, derisa e ka akuzuar për papërgjegjësi dhe paaftësi në menaxhim të situatës.

Jehona Lushtaku nga kjo parti ka thënë se ekzekutivi nuk ka vullnet për të dialoguar me sindikatat për të gjetur zgjidhje në mënyrë që të mos humbet viti shkollor.

“Sot kemi një situatë kur të gjitha shkollat janë të mbyllura për shkak të papërgjegjësisë së kësaj Qeverie për të dialoguar për kërkesat e mësimdhënësve dhe për të gjetur një zgjidhje në mënyrë që të mos humbet viti shkollor”, është shprehur ajo në konferencë për media.

“Në këtë kohë kur Kosova është duke u ballafaquar me krizë energjetike dhe shumë kriza të tjera, mësimdhënësit janë dënuar duke mos marrë pagat e tyre për muajin gusht. Për herë të parë, pagat nuk janë ekzekutuar. Kjo e cenon dinjitetin e mësimdhënësit”.

Lushaku në fund i ka bërë thirrje Qeverisë ta marrë më me seriozitet situatën dhe qysh sot të bëhet ekzekutimi i pagave për mësimdhënësit.