LDK kërkon të negociohet edhe posti i Presidentit para se të zyrtarizohet koalicioni me Vetëvendosjen

schedule16:55 - 30 Tetor, 2019

schedule 16:55 - 30 Tetor, 2019

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka thënë për mediat në Kosovë se çështja e postit të presidentit duhet të sqarohet para se të lidhet koalicioni me Vetëvendosjen.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Haziri tha në RTV Dukagjini se posti i presidentit duhet të sqarohet para se të zyrtarizohet koalicioni me Vetëvendosjen. Ai ka thënë se nëse nuk zgjedhjet kjo çështje tani, mund të jetë “mollë sherri” në momentin kur të vijë koha për të zgjidhur presidentin. Haziri theksoi se që marrëveshja me Vetëvendosjen të jetë funksionale, të gjitha pozicionet duhet të sqarohen tani. Nëse nuk sqarohet tani, çështja e pozitës së Presidentit, atëherë ne po paralajmërojmë krizë në vitin 2021, tha ai.Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se Isa Mustafa i plotëson të gjitha kushtet për të qenë president dhe ka shtuar se nëse partitë nuk bien dakord për emër konsensual për postin e presidentit, kur të vijë koha, emri i Presidentit do të vijë nga zarfi. Haziri aludoi kështu në mënyrën e zgjedhjes së ish-presidentes Atifete Jahjaga. Haziri tha se në LDK po mendohet që koalicioni me Vetëvendosjen të jetë edhe më i gjatë se një mandat dhe sipas tij edhe postet e rëndësishme si ai i presidentit duhet të vihen në tavolinë.

Ndërkohë, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, iu përgjigj deklaratave të nënkryetarit të Lidhjes Demokratike, duke qartësuar se kërkesa të tilla nuk diskutohen në grupet punese, por duhet t’i drejtohen Albin Kurtit nga Isa Mustafa.

Bislimi u tha mediave në Kosovë se tashmë po flitet për programin qeverisës dhe pjesë të tjera nuk mund të përfshihen në grupet punuese që kanë ngritur dy partitë. Express raportoi se posti i Presidentit ishte dakorduar më parë që të mos ishte pjesë e marrëveshjes në takimin e parë midis liderëve, Kurtit dhe Mustafës. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!