LDK fitoi 7 komuna, Abdixhiku: Arritje e madhe nga ku u nisëm

schedule13:21 - 15 Nëntor, 2021

schedule 13:21 - 15 Nëntor, 2021

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar sot pas rezultatit të zgjedhjeve në komunat e Kosovës.

Nga 21 komuna, LDK arriti t’i fitojë 5 duke bërë kështu 7 komuna të fituara në zgjedhjet lokale në Kosovë, ndërsa Abdixhiku synon që ky subjekt politik do ta fitojë edhe Dragashin pas numërimit të votave të diasporës, komunë kjo të cilën e ka fituar PDK me 47 vota më shumë, shkruan lajmi.net.

“LDK në këto zgjedhje ka fituar Prishtinën, Pejën, Lipjanin, Istogun, Fushë Kosovën, Vitinë, Junikun – dhe pas përfundimit të votave të mërgatës, do të fitojë dhe Dragashin. Fitorja në 8 komuna me Kryeqytet, i mbi 170 mijë votave për asamble është arritje e madhe, jashtëzakonisht e madhe nga ku jemi nisur. Për këtë mburremi të gjithë. Për këtë ndihemi të përmbushur të gjithë.”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se do të vazhdojë rritja e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Reagimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Të dashur mbështetës të Lidhjes sonë,

Rrugëtimi ynë i përbashkët deri në zgjedhjet e 17 tetorit e 14 nëntorit është rrugëtim që do ta mbajmë me vete gjatë. E nisëm të vetëdijshëm për sfidat përpara; po e përfundojmë krenarë dhe kokulur për besimin e marrë nga qytetarët tanë.

LDK në këto zgjedhje ka fituar Prishtinën, Pejën, Lipjanin, Istogun, Fushë Kosovën, Vitinë, Junikun – dhe pas përfundimit të votave të mërgatës, do të fitojë dhe Dragashin. Fitorja në 8 komuna me Kryeqytet, i mbi 170 mijë votave për asamble është arritje e madhe, jashtëzakonisht e madhe nga ku jemi nisur. Për këtë mburremi të gjithë. Për këtë ndihemi të përmbushur të gjithë.

Kryetarët e zgjedhur i uroj, dhe ju uroj shërbim të denjë ndaj njerëzve tanë pa dallim. Siç edhe i uroj të gjithë kandidatët e kandidatet tjera, që pavarësisht rezultatit final, dhanë gjithçka, bënë garë të drejtë e kontribuan si një familje e vërtetë në rikthimin e madh. Ky rezultat është i të gjithëve; mbesim një familje, mbesim një shtëpi.

LDK do të vazhdojë punën në rrugën e rigjetur. Me njerëz më shumë, punë më shumë, bashkudhëtim më shumë. Një e ardhme e ndritur na pret përpara. Për këtë të mbetemi të sigurtë.

Në fund, nga zemra, një falenderim për të gjithë aktivistët e aktivistet e LDK-së, shtëpisë sonë politike, që na dhanë shtytjen e nevojshme përgjatë muajve të fundit. Me ju, çdo rrugëtim është i mundshëm!

I juaji,

Lumiri.