Lazio nis merkaton, presidenti Lotito kryen dy transferime “të shpejta”

schedule09:56 - 4 Gusht, 2023

schedule 09:56 - 4 Gusht, 2023

Pas largimeve të shumta nga radhët e Lazio, si drejtori sportiv, Igli Tare dhe “katalizatori” i mesfushës, Sergej Milinkovic-Savic, Presidenti Lotito më në fund ka vendosur të forcojë ekipin për sezonin e ri, teksa ka surprizuar teknikun Sarri me dy blerje të shpejta.

I pari është ish-mesfushori i Eintracht Frankfurt, Diachi Kamada, i cili vjen te “shqiponjat” romake, si një transferim i lirë pas skadimit të kontratës me gjermanët. Te Lazio, “strategu” japonez i mesfushës do të firmosë një kontratë për 2 sezonet e ardhshme, me opsion për një shtesë e pagë 3.4 milionë euro në sezon dhe pritet të vihet nën urdhrat e teknikut italian, javën e ardhshme.

Në krahun tjetër, përveç mesfushës është forcuar dhe sulmin, teksa është afruar “fantazisti” danez i sulmit, Gustav Isaksen. Për këtë të fundit, bordi i Lazio derdhi plot 12 milionë euro në arkat e danezëve të Midtjylland, për një lojtar, i cili sezonin e shkuar arriti të shënojë plot 22 gola e të dhurojë 9 asistime, në 45 përballjet e zhvilluara.

Përsa i përket kontratës personale, Isaksen, pritet të zbarkojë në Romë ditët në vijim, ku pas kalimit të testeve mjekësore do të firmosë një kontratë 5-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 1.5 milionë euro në sezon. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!