Lazio në sulm frontal për David Silvën, ka vetëm një problem për t’u zgjidhur

schedule16:37 - 1 Gusht, 2020

schedule 16:37 - 1 Gusht, 2020

Lazio është rritur shumë në vitet e fundit. Sivjet zhvilloi një sezon fantastik dhe garoi gjatë me Juventusin për titullin kampion, por ndërprerja e kampionatit për shkak të pandemisë dëmtoi bardhekaltrit e Inzaghit, të cilët nuk ia dolën të riktheheshin në formën më të mirë.

Gjithsesi, Lazio siguroi kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm, kompeticion ku nuk luan prej vitesh. Igli Tare njihet për surprizat që dhuron në merkato dhe po bën maksimumin për të sjellë një kampion të madh në kryeqytetin italian.

Ai është David Silva, i cili do të largohet me parametra zero nga Manchester City pasi të pëfundojë Champions League. Vlonjati ka nisur negociatat me agjentët e fantazistit 34-vjeçar, i cili ka fituar Botërorin dhe dy Europiane me Spanjën.

Mundësia e zbarkimit të tij në Formello, ka krijuar entuziazëm të madh. Inzaghi e pret krahëhapur, ndërsa tifozët kanë nisur nga puna, duke e “bombarduar” me mesazhe në rrjetet sociale. Problem mbetet vetëm rroga.

David Silva fitoi 10 milion euro në sezonin e fundit me Manchester City. Lazio i ofron një kontratë 2-vjeçare, me opsionin për një tjetër vit, teksa rroga do të jetë të paktën 2.5 milion euro në sezon + bonuset, sipas raportimeve të Calciomercato.

Lojtari iberik ka kërkuar kohë dhe po mendohet. Tare vijon të tentojë të bindë agjentët e tij dhe populli bardhekaltër shpreson dhe beson që fundi do të jetë i lumtur, me një tjetër lojtar fantastik që do i bashkohej Serie A. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!