Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda shpalli vendimin përfundimtar për 11 të pandehurit e dosjes “Lazarati 2” të akuzuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, në vitin 2015. Lënia në fuqi të dënimeve solli reagimin e fortë të familjarëve në gjyq. Ata tentuan të qëllojnë me karrike gjyqtarët, ndërsa kërcënuan dhe tentuan të dhunojnë gazetarët.
Ka përfunduar me sharje, përballje fizike me policinë dhe përpjekje për të dhunuar gjykatën, por edhe gazetarët, seanca e shpalljes së vendimit përfundimtar për të pandehurit e dosjes “Lazarati 2” në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Vendimi i dhënë nga Apeli la të pandryshuar dënimin për 9 nga 11 të pandehurit e akuzuar për sulmin me armë ndaj policisë në Lazarat në vitin 2015, ku u vra edhe efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha.
Mes dënimeve të lëna në fuqi ishte edhe burgimi i përjetshëm dhënë nga Shkalla e Parë për Arbion Alikon dhe Barjam Bocian.
Dënimi i parë ndryshoi vetëm për të pandehurit Alban Aliko dhe Elson Kasma. Ata do të vuajnë nga 17 vjet e 6 muaj burg, nga 20 dhe 18 vite të dhëna më herë për ta.
Për të pandehurit e tjerë, Apeli i dha formë të prerë duke konfirmuar dënimet e dhëna në shkallën e parë. Seanca u zhvillua në praninë e një numri të lartë punonjësish policie në sallën e gjyqit. Me gjithë praninë e tyre, që në nisje të seancës u vu re një agresivitet dhe gjuhë fyese e familjarëve të të pandehurve kundrejt gazetarëve.
Por pas shpalljes së vendimit, situata precipitoi në veprime të dhunshme. “Ju vdekshin fëmijët” ulëritën ata drejt trupit gjykues, ndërsa një prej tyre tentoi të qëllonte me karrige drejt gjykatës, por u pengua nga policia. Përplasje fizike dhe të shara u lëshuan edhe nga të pandehurit në kafazin e sallës së gjyqit.
Por momentet e tensionit nuk mbetën vetëm brenda godinës. Si asnjëherë më parë, në një mënyrë të paprecedentë, disa prej familjarëve vijuan me fjalë fyese, kërcënime dhe përpjekje për agresion fizik drejt gazetarëve dhe kameramanëve.
Ndryshe nga procese të tjera tek Krimet e Rënda, kur gjykata blindohet nga efektivë të Policisë së Shtetit, për vendimin e Lazaratit masat policore jashtë gjykatës munguan dhe gazetarët u gjendën pa asnjë mbrojtje ballë agresivitetit të disa njërëzve të tensionuar. Efektivët erdhën atëherë kur nuk nevojiteshin më.
Vendimi i Apelit u konsiderua i padrejtë nga avokati Ruhan Hiajt, Bashkim Nikolla, i cili komentoi edhe veprimet e dhunshme drejt përfaqësuesve të medias.
“Nuk ka një provë të vetme, kush është vrasësi?. Vrasësi mund të jetë i lirë, koha do vërtetëojë që është kështu, këto gjëra i bën gjithmonë padrejtësia. Të na falni ju që keni qenë pranë njerëzve dhe të meritoni këtë gjë dhe më vjen keq. Këtë gjë nuk duhet ta bënin, por psikoligjikisht kanë qenë shumë rëndë ju e patë vetë”./abcnews.al

