Sulmuesi i Interit, Lautaro Martinez, vazhdon të mbetet në qendër të merkatos. Interesi i Barcelonës për shërbimet e tij është rritur shumë ditët e fundit, aq sa mediat spanjolle e konsdierojnë të mbyllur transferimin e tij. I këtij mendimi është dhe trajneri i kombëtares olimpike të Argjentinës, Fernando Batista.
“Mendoj se Lautaro do të formonte një dyshe të fortë me Luis Suarezin. Nëse Barcelona dëshiron të luajë me skemën 4-3-3, atëherë do të kishte vend vetëm për njërin nga ato. Por, edhe nëse luajnë që të dy do të ishte një plus i madh për katalanasit. Mendoj se ata së bashku me Messin do t’i hapnin punë çdo ekipi në mbrojtje”, deklaron Batista për “Mundo Deportivo”.
”Varet nga trajneri, por nëse do të ishte në dorën time nuk do të hezitoja. Do të luaja me të dy në sulm dhe kjo do t’i bënte më mirë edhe Messit, i cili luan pak më i tërhequr. Leo do të kishte më shumë hapësira për të pasuar. Jam i sigurt se Lautaro do të përshtat shumë shpejt me Suarezin, ashtu siç bëri me Lukakun tek Interi”, mbyll trajneri argjentinas. /abcnews.al