Serie A me Interin dhe Kupën e Amerikës me Argjentinën; Lautaro Martinez po përjeton një ëndërr. Zëvendës presidenti i Interit, Javier Zanetti ndihet i kënaqur për sulmuesin, por edhe për Leo Messin, i cili ia doli më në fund të fitojë trofe me kombëtaren albiceleste.
“Messi e ka pasur ëndërr të fitojë diçka me Argjentinën. Jam i lumtur që në këtë sukses historik është edhe kontributi dhe firma e Lautaro Martinez.
Kemi shkëmbyer disa mesazhe me njëri-tjetrin, më vjen mirë që Lautaro ia ka dalë të fitojë Kupën e Amerikës si numër nëntë i kombëtares“, deklaron ish-kapiteni i zikaltërve për Canal IP.
Më pas është radha e elozheve për Lautaron. “Unë e di mirë çfarë pune bën dhe si e bën, sillet shumë mirë brenda dhe jashtë fushave, dhe ishte tepër i emocionuar për Kupën e Amerikës pas fitimit të Serie A”.
Në fund një koment për triumfin e Italisë në Euro 2020. “Pas dështimit për t’u kualifikuar në Rusi 2018, Italia pësoi një ndryshim të madh falë punës së shkëlqyer të Mancinit.
Trajneri bëri bashkë me qëndrimin e duhur lojtarë të rinj dhe me përvojë, të gjithë futbollistë me një teknikë të shkëlqyer“, përfundon legjenda e Interit. /abcnews.al