shtetas shqiptar i dyshuar për trafik droge dhe bashkëshortja e tij janë ekzekutuar brutalisht në Ekuador. Prokurorët që kanë marrë në dorë çështjen e lidhin atë me një seri krimesh mes shtetasve shqiptarë, që kanë si motiv trafikun e drogës.
Një shtetas malazez me etni shqiptare, Fadil Kaçaniç dhe bashkëshortja e tij janë ekzekutuar në një zonë periferike të qytetit Guajakil, në Ekuador. Prokurori i çështjes, i cituar nga mediat lokale, ka bërë me dije se Kaçaniç, 64 vjeç dhe bashkëshortja e tij ekuadoriane Elsa Galegos Çakon fillimisht janë rrëmbyer nga shtëpia në lagjen Sebios Norte nga agjentë të rremë policie, të cilët kanë inskenuar një kontroll.
Sipas prokurorit Sezar Penja, agjentët kanë mbërritur me tre makina, më pas kanë paraqitur një mandat kontrolli të rremë dhe kanë shkatërruar gjithçka kishte brenda në banesë pasi po kërkonin diçka. Duke cituar dëshmitarë, funksionari ka sqaruar se bashkëshortët kanë dalë të prangosur nga shtëpia, një veprim ky i ekzekutorëve për t’u dukur sa më realë. Ngjarja ka ndodhur të mërkurën dhe autoritetet dyshojnë që ekzekutimi i dyfishtë të ketë në sfond trafikun e drogës.
Kjo, pasi Kaçaniç ka qenë i dënuar më parë për drogë dhe nuk ka të regjistruar asnjë aktivitet punësimi. Ndërsa e shoqja, me profesion ekonomiste, punonte në aeroportin e Gajakilit.
“Jemi në fazën e hetimeve paraprake për zbulimin e shkaqeve të këtij krimi”, ka thënë zyrtari.
Prokuroria lokale po heton për një lidhje mes ekzekutimit në fjalë dhe disa ngjarjeve të tjera kriminale ku janë përfshirë shtetas të huaj nga Europa lindore. I pari u verifikua më 31 Maj 2016, kur shqiptari Ilir Hidri u ekzekutua me armë zjarri në periferi të Gajakilit. Në Nëntor 2017, kosovari Remzi Azemi u plagos teksa udhëtonte me mjetin e tij të blinduar në rrugët e qytetit. Kur një miku i tij që ndodhej në automjet uli xhamin e dritares për të pirë një cigare, atentatorët hapën zjarr.
Në polici, Azemi kishte dhënë vullnetarisht edhe një version mbi vrasjen e Hidrit. Ndërkohë, makina e tij e blinduar ishte parkuar jashtë shtëpisë ku Kaçaniç dhe e shoqja u rrëmbyen. Kur u çuan në një vend të izoluar, 64-vjeçari u ekzekutua me tre plumba, ndërsa gruaja e tij u godit me mjete të forta në kokë deri në vdekje./abcnews.al