Trofeu i Kupës së Shqipërisë ende nuk e ka mësuar destinacionin e tij përfundimtar për këtë sezon. Në finale janë Skënderbeu dhe Vllaznia dhe Federata e Futbollit deri sot e kishte njoftuar zhvillimin e kësaj ndeshje më datë 30 maj.
Ditën e sotme qeveria e futbollit e ka ndryshuar planin dhe e ka larguar në kohë finalen e shumëpritur, sidomos nga dy qytetet e skuadrave në fjalë. Kështu, finalja e Kupës mes Skënderbeut dhe Vllaznisë është vendosur të luhet më datë 31 maj, në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”.
Lajmin e njofton indirekt vetë FSHF, që e ka zhvendosur këtë ndeshje në datën e lartpërmendur në kalendarin online të ndeshjeve në faqen e saj zyrtare. Aludime mund të krijojmë shumë, por nuk mund të themi shkakun e vërtetë të këtij ndryshimi. /abcnews.al