Largimi nga Arsenali dhe ëndrra tek Aston Villa, rrëfehet portieri Martinez

schedule16:29 - 6 Mars, 2021

schedule 16:29 - 6 Mars, 2021

Portieri i Aston Villas, Emiliano Martinez, është rikthyer të flasë për largimin e tij nga Arsenal. 28-vjeçari kaloi plot 10 vite në “Emirates Stadium”, por nuk ia doli kurrë të ishte një titullar tek ta. Në një prononcim për “Sky Sports”, ai tregon vendimin e vështirë për t’u larguar si dhe objetivin që ka tashmë tek Aston Villa.

“Mua më pëlqen çdo gjë që ka lidhje me Arsenalin. Ende i dua ata dhe i shikoj ndeshjet e tyre. U largova sepse ata nuk më besuan. Ky është realiteti sepse klubi vazhdonte të blinte portierë të tjerë, edhe pse unë isha gjithmonë aty. Drejtuesit nuk më garantonin se do të luaj dhe si pasojë unë vendosa të mos qëndroj më”, deklaron argjentinasi.

 

“U largova nga “Topçinjtë” pas 10 viteve dhe ishte një vendim i vështirë. Familja ime nuk e kuptonte se pse po largohesha, por ajo ishte zgjedhja ime dhe jam krenar që e bëra. Ishte tamam si një bixhoz, por unë besoj se nëse gjithmonë qëndron në zonën e rehatisë nuk do të arrish asgjë në jetë.

Kështu vendosa që të hedh hapin tjetër në karrierën time dhe u transferova tek Aston Villa. Që në ditën e parë kur erdha këtu, ëndërroj të luaj me klubin në Europë. Nuk e di a do të ndodhë këtë sezon apo tjetrin, por gjërat po ecin shumë mirë për ne”, përfundon Martinez. /abcnews.al