“Largimi i tij për Guinnes, Nevili ka të drejtë”, diskutimet në “Pressing”

schedule23:55 - 25 Janar, 2021

schedule 23:55 - 25 Janar, 2021

Sot te Tirana ndodhën shumë gjëra, por ajo që bëri më shumë bujë ishte largimi i trajnerit Nevil Dede vetëm 15 minuta para nisjes së ndeshjes me Laçin. Sot në emisionin Pressing u diskutua në lidhje me këtë çështje, teksa drejtori teknik i Teutës, Sulejman Starova mori fjalën.

“Mund të thoja se nuk më takon të flas, por diçka do e them. Është rekord Guinnes që disa minuta para takimit të pargohet një trajner. Për mua do kishte bërë mirë të vazhdonte me idetë e tij, pavarësisht ndërhyrjeve. Edhe në Europë ka ndërhyrje, kujtojmë Ancelottin dhe Berlusconin. Trajneri nuk duhet të jepte dorëheqjen edhe nëse kishte ndërhyrje”, tha fillimisht “Bobi”.

Pas fjalës së tij ndërhyri moderatori Gerti Çarçani, duke qartësuar: “Nevili ka shpallur formacionin, drejtuesit e klubit kanë hequr dy lojtarë dhe kanë zgjedhur të luajnë dy lojtarë të tjerë”. Gazetari Endi Tufa më pas shtoi se “në fushë para ndeshjes kanë dalë në nxemje 12 lojtarë, teksa shtoi se më pas është larguar i riu Kuka dhe në vend të tij është aktivizuar Danso”.

Pas kësaj ndërhyri sërish Starova, i cili u shpreh: “Nuk po e dëgjoja mirë Deden (në lidhje direkte), por nëse ka pasur ndërhyrje në formacion nga presidenca është gjë tjetër”. Ndërkohë, Orges Shehi dha mendimin e tij me lëvizjet e sotme te Tirana.

“Të vjen keq që rrugët ndahen në këtë mënyrë. Ndoshta duhet të ndodhte ditë më para ose ditë më pas, megjithëse nuk e dimë seç ka ndodhur aty. Më vjen keq që u largua sepse Nevili nuk e kishte asnjëherë ekipin e plotë dhe tani që e kishte u largua”, u shpreh Shehi. /abcnews.al