Sot është vendosur që të largohen edhe 25% e forcave policore të Kosovës në dhe përreth objekteve komunale në veri të vendit. Vendimi u mor pas vlerësimit të situatës nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, deklaroi për KosovaPress se situata e sigurisë në veri të vendit vlerësohet të jetë e qetë, stabile, por delikate.
Elshani theksoi se varësisht nga vlerësimi i situatës së sigurisë do të bëhet reduktimi i numrit të policëve nga objektet komunale në veri, ashtu siç është paraparë me marrëveshje politike, ndërsa shtoi se policia nuk ka ndonjë plan për tërheqje nga veriu në përgjithësi.
Autoritetet policore thonë se policët serbë të cilët kanë dhënë dorëheqje më 5 nëntor të vitit të kaluar nuk do të kthehen më në polici, ndonëse pranojnë se marrëveshjet politike do ta përcaktojnë fatin e tyre.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut bëri të ditur për KosovaPress se prej më shumë se 500 policëve serbë të dorëhequr në nëntor të vitit të kaluar, të gjithë i kanë kthyer pajisjet, duke përfshirë këtu edhe armët.
Derisa nuk flet shumë për shkak të hetimeve, nëse janë identifikuar ose arrestuar të gjithë personat të cilët kanë sulmuar së fundi pikat policore me shok-bomba, granata dhe mjete tjera të ngjashme në atë pjesë, Elshani tregon se policia ka identifikuar në masë të madhe kryesit e veprave kundër gazetarëve, KFOR-it dhe policisë.
Nënkoloneli Elshani pranon se shqetësim për Policinë e Kosovës në veri mbetet funksionimi i strukturave paralele.
Elshani thotë se situata e përgjithshme në veri të Kosovës megjithatë ka ndryshuar për të mirë, duke thënë se është ndërtuar besimi i qytetarëve ndaj policisë dhe se janë afër qytetarëve.
Ndryshe, situata në komunat më veriore të vendit është tensionuar nga data 26 maj kur kryetarët e zgjedhur më 23 prill tentuan të hyjnë në objekte komunale. Më 29 maj pati tensionim të situatës kur persona të armatosur të nacionalitetit serbë përdorin dhunë ndaj forcave të Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve duke lënë të lënduar me dhjetëra persona./KosovaPress