Emmanuel Egbo zhvilloi një punë fantastike sezonin e fundit në stolin e Tiranës dhe ia doli të fitonte titullin kampion në 100-vjetorin e themelimit të klubit kryeqytetas, trofe që mungonte prej 11 vitesh te bardheblutë.
Nigeriani u bë i pari trajneri afrikan që shpallet kampion në një kampionat evropian. 47-vjeçari dhe Tirana kaluan turin e parë në Champions League dhe arritën deri në fazën “play-off” të Europa League, kompeticion të cilit i dhanë lamtumirën pas humbjes 3-0 ndaj Young Boys.
Puna e mirë në drejtimin e 25 herë kampionëve të Shqipërisë, ka tërhequr vëmendjen në vendin e tij. Drejtues të Federatës Nigeriane të Futbollit (NFF) e kanë tentuar për ta afruar në kombëtare. Plani i drejtuesve zbulohet nga Owngoalnigeria.com.
Ideja është që Egbo t’i bashkohet stafit teknik të trajnerit gjermane, Gernot Rohr. Ky i fundit pritet të largohet pas Botërorit Katar 2022 dhe Egbo, që do të krijonte eksperiencë gjatë kësaj kohe, do të kishte një shans ta pasonte në pankinë.
Gjithsesi, Egbo është nën kontratë me Tiranën, që ka refuzuar në mënyrë kategorike të lërë të lirë trajnerin. “Hiqni duart nga trajneri ynë“, është titulli me të cilin është hapur artikulli i portalit afrikan, që shpreh qartë refuzimin e bardhebluve. /abcnews.al