Kryeministri Edi Rama vizitoi Moskën në cilësinë e drejtuesit të OSBE-së. Gjatë konferences për shtyp me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, Rama bëri edhe një lapsus ku ngatërroi ish-ministrin e Jashtëm Kastriot Islami me Lulzim Bashën. Por Partia Demokratike përmes një statusi në facebook, thotë se nuk është ngaterresë por shpifje e kryeministrit.
“Edi Rama nuk kursen asnjë shpifje kundër Lulzim Bashës”, shkruhet karshi videos.
Gjatë kësaj konference, Sergey Lavrov u shpreh se për herë të fundit që ka takuar një zyrtar të lartë shqiptar ishte në vitin 2004, duke nënvizuar se me kryediplomatin e asaj kohe kishte nënshkruar një traktat miqësie dhe bashkëpunimi, i cili sipas tij u harrua nga pala shqiptare.
Sergey Lavrov: “Kur bëhet fjalë për telefonatat me gjasë ajo që çfarë ju përmendët reflekton gjërat reale. Sa i takon takimeve personale, në 2004 menjëherë sapo u emërova Ministër i Jashtëm i Rusisë bëra një takim në Tiranë dhe më pas nënshkruam një traktat miqësie dhe bashkëpunimi me Ministrin e Jashtëm të asaj kohe. Nuk u ratifikua pasi pala shqiptare e la mënjanë këtë dokument, e harroi. Por ekziston, është gati dhe ne mund ta bëjmë efektiv në mënyrë që ti kemi të qarta parimet e marrëdhënieve tona. Megjithatë jam i sigurt që do të komunikojmë përgjatë këtij viti nëpërmjet telefonit dhe do të diskutojmë çështjet e OSBE, jemi të gatshëm për këtë”.
Nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare tha se Lavrov kishte nënshkruar marrëveshjen me drejtuesin e sotëm të opozitës shqiptare, duke ngatërruar kështu Kastriot Islamin që mbante asokohe postin e ministrit të Jashtëm. Ndërsa Basha është bërë minister i Jashtem 3 vite pasi është nënshkruar ky traktat.
Edi Rama në Moskë: “Telefonatat që thashë që nuk janë bërë që nga Stalini do të vazhdojnë të bëhen me ju. Do të vazhdojmë të komunikojmë. Po ka pasur një marrëveshje të nënshkruar mes jush dhe udhëheqësit të sotëm të opozitës sepse ka qenë Ministër i Jashtëm i asaj kohe por më duhet ti mbetem parimit që diçka që është nënshkruar nga qeveria e mëparshme natyrisht nuk është se nuk duhet pranuar nga qeveria aktuale. Kur të kthehem në vend do ta shoh me kujdes dhe do t’ju dëshmoj që unë them çfarë bëj dhe bëj çfarë them”. /abcnews.al