Joan Laporta ishte optimist gjatë gjithë kohës, por në fund nuk ia doli të rinovojë kontratën me Leo Messin. Ylli argjentinas i dha fund aventurës 17-vjeçare në “Camp Nou”, ndërsa presidenti i Barcelonës ka dalë në një konferencë për shtypin, aty ku flet rreth largimit të kapitenit argjentinas.
“Nuk dua të krijoj shpresa të rreme. Ajo që është e sigurt është se lojtari ka oferta të tjera. Koha ishte e limituar, si për ne dhe për Leon. Gjithçka tregon se ky ‘fair-play financiar’ do të vazhdojë të jetë aktiv. Do donim që epoka post-Messi të niste pas dy vitesh, jo tani.
Ne të gjithë do donim të vazhdonim të shijonim magjitë e tij, por nuk ishte e mundur. Kontrata 5-vjeçare që i ofruam? LaLiga na sugjeroi bindshëm se kjo kontratë mund të pranohej, por pas një analize ata na treguan se nuk ishte e mundur.
Fatkeqësisht, ne kemi marrë një trashëgimi katastrofike: pagat e Barcelonës përfaqësojnë 110% të fitimeve të klubit. Nuk kemi një kufi pagash dhe rregulloret e LaLiga kalojnë përmes fair-play financiar, që përcakton kufijtë. Kjo është arsyeja pse ne nuk ishim në gjendje të respektonim marrëveshjen e dakorduar me Leo Messin.
Për fat të mirë ne kemi një institucion 122-vjeçar që është mbi çdo lojtar, madje edhe mbi lojtarin më të mirë në botë. Ne do t’i jemi mirënjohës përjetësisht, por klubi është akoma gjëja më e rëndësishme se të gjitha. Do vazhdojmë të fitojmë edhe pa Leon“, deklaroi Laporta. /abcnews.al