Lamtumirë “rebeli” i muzikës! Kush ishte Kujtim Prodani, artisti që i dha Shqipërisë kulturën e trashëguar

schedule16:24 - 6 Janar, 2021

schedule 16:24 - 6 Janar, 2021

Nga Liarda Kondakçiu

Ditën e sotme ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare kantautori i njohur Kujtim Prodani.

Kujtim Prodani, djali i artistëve të mirënjohur Anita Take dhe Agim Prodani, ishte infektuar me koronavirus dhe prej disa javësh kurohej në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Fatkeqësisht ai nuk ia doli dot të fitonte betejën me virusin.

Por kush ishte në artin shqiptar, Kujtim Prodani?

Edhe pse vinte nga një familje artistësh, duket se fillimet e tij nuk ishin të projektuara për t’u bërë një kantautor. Ka qenë vetë Kujtimi që në një intervistë të dhënë në muajin qershor të këtij viti me gazetaren, Mirela Milori, ka rrëfyer gjithçka.

Asgjë nuk ishte projektuar. Unë isha 13-14 vjeç dhe mbaj mend një mik të ngushtë të babait, ishte inxhinier dhe vinte në familjen tonë. Duke qenë mik i afërt, babai Agimi ankohej dhe kërkonte mbështetje sepse Kujtimi nuk studion sa duhet, do të thotë studion 2 orë, po nuk studion 6, nuk studion fërngjishten sa duhet, do të thotë studion gjysëm ore në ditë, por jo 2 orë, siç mendonte Agimi. Nuk lexon një roman në javë, por lexon një faqe ose dy faqe para gjumit, etj dhe donte mbështetjen e zotërisë. Një ditë të bukur, 14 vjeç flas për ‘78-’79, tjetër kohë, tjetër periudhë dhe në një moment, edhe i nervozuar, edhe ndoshta për të ndihmuar mikun e tij më thotë: O Kujtim, çfarë dëshiron ti të bësh në këtë jetë, çfarë do ti të bëhesh në këtë jetë? Isha me pantallona të shkurtra akoma, nuk e di, i’u përgjigja. Po si nuk e di? Ti studion piano, ti ke babin, ke nënën, ke familjen, çfarë do bëshesh ti? Do krijosh një emër të mirë, do krijosh reputacion të mirë, do krijosh familje? Nuk e di, i thashë. Sot kanë kaluar 40 e ca vite dhe unë e kam vëth në vësh atë pyetje, si dhe nuk e dita kurrë përse duhej me kaq impenjim, që t’i të bëhesh, që t’i të shkëlqesh, që t’i të realizosh këtë, që të jesh më i miri? Pse t’ia kërkosh një 14-vjeçari? Lëre të rrjedhë natyrshëm dhe rrodhi natyrshëm. Ndaj bëra këtë parantezë paksa të gjatë për të kuptuar, që nuk e kam patur të lehtë, as fëmijërinë, adoleshencën jo e jo dhe pa folur më pas për rininë dhe periudhën e viteve pas ’90”, u shpreh Prodani.

Më tej, ai shtoi se interpretimi ka lindur spontanisht, nga halli dhe nevoja, në periudhën kur shkoi në Austri.

Kantoja, interpretimi ka lindur fare spontanisht, në periudhën e refugjatizimit austriak do ta quaja unë, thjesht nga halli, nga nevoja sepse unë punoja në një hotel, në një pianobar dhe nuk mjaftonte fakti, që ti luan mirë apo keq në piano dhe kompozon muzikë. Çështja është që publiku duhej argëtuar dhe argëtimi vjen kryesisht nëpërmjet vokalit”.

Pavarësisht kësaj, duket se muzika nuk ka qenë rastësi te Kujtimi, pasi mbiemri i tij flet vetë. Megjithatë ndikimin kryesor te figura artistike e tij ka pasur edhe nëna, Anita Take, daljet e tyre së bashku në ekran kanë qenë të shumta, nga këngët e ndryshme dhe deri te intervistat.

Largimin nga jeta i Anitës, shkaktoi një boshllëk të pazëvendësueshëm te i biri, i cili ka treguar se ka pasur edhe probleme shëndetësore prej asaj dite.

I pastroj fotografitë, sendet e saj personale. Është edhe dhimbje, shtëpia më jep aromën e saj”, deklaroi Prodani në një prej intervistave.

Kur bëhet fjalë për të atin, artistin e madh, Agim Prodanin, ai ka treguar se kanë pasur një marrëdhënie shumë të ngushtë, duke theksuar se e ka shtyrë edhe më shumë drejt muzikës së vërtetë.

Unë i kam hapur shumë telashe prindërve, në çdo datë 2 shtator, që në klasë të parë, mua donin të më përjashtonin nga shkolla. Nuk e di se kujt i ngjava kështu por unë e kam një shpjegim. Kur linda unë lindi Prodani i parë mes nipave, princi, dhe mbaj mend që nuk më dërguan as në çerdhe e as në kopsht. E kur Anita filloi punë në estradë, dikush do kujdesej për mua e unë e kam si nënë të dytë. Ajo jetonte në shkallën tjetër e ajo më çonte aty. Pra mua më mungoi socializmi dhe lodrat e bashkëmoshatarëve. Direkt shkova në shkollë. Në 2 shtator telefonojnë Anitën të vinte se do të më përjashtonin nga shkolla “Luigj Gurakuqi”, kisha goditur dikë me gurë. Imagjinonin habinë e Anitës, një djalë i rritur ashtu, në dukje aq i urtë, e që bënte këtë gjest. Kam shkuar nga shkolla në shkollë. Ato që nuk i kisha bërë deri atëherë i bëra më pas, shpërtheva. Agimi ishte shumë kërkues sepse e dinte se në cilën rrugë po më dërgonte dhe më detyroi të mos përjetoja fëmijërinë. Më mbyllte me çelës për orë të tëra. Unë si fëmijë nuk e kuptoja se çfarë donte të thoshte të bëheshe artist e të dilje në krijimtari me “vëllezër ujqër” siç thoshte ai. “Ti duhet të shkëlqesh, po nuk shkëlqeve, me të gjithë këtë biografi që kemi, do të të mundin!”-më thoshte shpesh. Asnjë fëmijë nuk do të rrijë të studiojë, do të luajë jashtë. Po edhe pak frëngjisht se ai ishte frankofon, po edhe ca lexim më pas. Shumë kërkues e shumë serioz. Ai ka punuar me këngëtarët më të mirë të atij brezi dhe për këngën në festival punohej që një vit përpara, aq serioz ishte në krijimtari. Babai ishte muzikant autodidakt por me një pasion të madh për të krijuar muzikë të pastër shqiptare”, ka rrëfyer për gazetaren Juela Meçani.

Kujtim Prodani do të mbahet mend gjatë në artin shqiptar për këngët e pafundme që dhuroi në mbi 10 festivale të Radio Televizionit Shqiptar, por edhe në Këngën Magjike me këngën “I Am From Tirana”, e cila u kthye në një hit deri në ditët e sotme.

 

Një nga këngët e fundit të Kujtimit ishte ajo me videoklip më datë 21 Shkurt 2020, me titull “Hej Mik”. Për ironi të fatit, këtë perlë muzikore ai ia dedikoi të gjithë miqve që u larguan nga kjo botë papritur dhe pa radhë, pa ditur fundin e tij.

“Hey mik, u mbyll ditari i jetës, mbaroi dhe fletë e fundit sot u kthye”, thotë Prodani në një prej vargjeve të këngës, e cila mund të jetë edhe lamtumira e tij e fundit në këtë botë. Megjithatë diçka është e sigurt, arti shqiptar ka për të ‘KUJTUAR’ pavarësisht viteve, ‘rebelin’ që sot i përshëndeti të gjithë nga larg. /abcnews.al