Të afërm, miq, kolegë i bënë nderimet e fundit gazetarit dhe analistit të njohur të medias shqiptare Artur Zheji.
Homazhet u zhvilluan në Universitetin e Arteve në Tiranë aty ku Zheji studio dhe u diplomua për regjisurë.
Ata që e njohën dhe bashkëpunuan me të e kujtojnë për mendimet e mrehta dhe kontributin në trajtimin e veçantë për çështjen e Kosovës dhe asaj kombëtare.
“Një stil të veçantë, fjalor tejet të përpunuar, që ndërthurej midis një gazetarie ekspresive, por edhe mendimi të thelle filozofik. Në programin që kishte në fundmi në ABC News, boshti ku vërtitej i gjithë programi ka qenë çështja kombëtare.”
Miqve do t’ju mungojë njeriu i afërt që iku shpejt dhe krejt papritur.
“Kam pasur një miqësi të afërt me të, më iku një mik, zoti e rrëmbëu nga të gjithë ne këtu, iku shumë shpejt, cuditshëm me njëb staturë…një njeri që donte sportin. Ne para një viti i bëmë pushimet në Sarandë dhe ai kalonte nga një anë e detit në tjetrën.”
Analisti i njohur do të prehet në varrezat e Tufinës. Gazetari Artur Zheji u nda nga jeta papritur të shtunën, pa mbushur 64-vjeç. Ai pësoi arrest kardiak ndërsa pushonte me familjen në Sarandë.
Artur Zheji ka një kontribut të gjatë si gazetar dhe opinionist në mediat shqiptare.
Prej një viti e gjysmë, Zheji drejtonte emisionin “360 gradë” në televizionin ABC News. Një tryezë debati dhe analize për cështjet e ditës, zhvillime të rëndësishme të politikës dhe aktualitetit shqiptar si dhe për ngjarje të arenës ndërkombëtare.
Më herët Artur Zheji ka drejtuar emisione edhe në televizione të tjera shqiptare dhe ka qenë pjesë e paneleve të analistëve në studio televizive.
Për shumë vite ka shkruar si gazetar e publicist në gazeta dhe media online si dhe ka mbajtur poste drejtuese në media.
Artur Zheji vinte nga një familje me kontribute në artin dhe dijen. Ai ishte djali i përkthyesit dhe shkrimtarit të njohur Petro Zheji dhe aktores Besa Imami.

