I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak deklaroi se takimi i nesërm në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të jetë shumë i rëndësishëm.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka bërë një përmbledhje të takimeve të tij që zhvilloi javën e kaluar, Lajçak u shpreh se gjatë takimit me Kurtin, diskutoi rreth detajeve për takimin me Vuçiçin.
“Java ime e fundit filloi dhe përfundoi në vendet për të cilat Ballkani Perëndimor është në krye të agjendës. Në Vjenë fola për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe ndikimin e tij në rajonin e gjerë gjatë një paneli diskutimi në Universitetin Webster. U ktheva në Bruksel, pata një nga shkëmbimet e mia të rregullta me socialdemokratët në Parlamentin Evropian, të cilët ndjekin nga afër rajonin dhe rregullisht udhëtojnë dhe ndërveprojnë me Ballkanin. Dhe e mbylla javën time në Greqi ku mora pjesë në Forumin Ekonomik vjetor Delphi në qytetin antik të Delphi. Greqia, si një fqinj i drejtpërdrejtë i Ballkanit, e njeh dhe e kupton mirë rajonin dhe prandaj forumi i kushtoi vëmendje të veçantë të ardhmes evropiane të rajonit.
Ky ishte edhe fokusi i panelit tim këtë vit. Dhe konferenca nuk do të ishte e njëjtë pa takuar kolegë dhe partnerë nga rajoni dhe më gjerë. E informova mikun tim të mirë gek, Ministrin e Jashtëm, Nikos Dendias për të fundit në hialog, u takova me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për t’u përgatitur në detaje për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë më 2 maj, i cili do të jetë një takim veçanërisht i rëndësishëm. Pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, unë jam përsëri për udhëtim. Këtë herë po shkoj në Bosnje dhe Hercegovinë për t’u takuar me një numër bashkëbiseduesish dhe për të marrë një përshtypje për pikëpamjet, shqetësimet dhe ëndrrat e njerëzve në një vend që është shumë afër zemrës sime”, shkroi Lajçak në Twitter.