Lajçak: Draft-statuti për Asociacionin, pikënisje e rëndësishme për bisedimet e ardhshme

schedule09:51 - 8 Maj, 2023

schedule 09:51 - 8 Maj, 2023

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Breogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, deklaroi se draft-statuti i Asociacionit, i cili u prezantua nga ekipi menaxhues në takimin në Bruksel më 2 maj, nuk ishte përfundimtar, por një pikënisje e rëndësishme për bisedimet e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve.

Teksa ka bërë një përmbledhje të takimeve që pati javën e kaluar, Lajçak, përmes një postimi në rrjetet sociale, u shpreh se palët në takimin në Bruksel kanë bërë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt formimit të Asociacionit.

“Ngjarja më e madhe e javës ishte padyshim takimi i Dialogut të Nivelit të Lartë i organizuar nga Bashkimi Evropian dhe i asistuar nga unë, i cili u zhvillua të martën e kaluar. Presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti u takuan në Bruksel për të diskutuar një çështje vendimtare të personave të zhdukur. Jam i kënaqur që të dy udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku për të sqaruar vendndodhjen e njerëzve që u zhdukën gjatë luftës.

Ne mirëpresim miratimin e palëve të deklaratës për personat e zhdukur dhe presim që ato të bëjnë përparim në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur. Kjo jo vetëm që do t’i ndihmojë familjet e tyre të gjejnë paqe, por edhe do të avancojë normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Palët gjithashtu bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Megjithëse drafti i parë i paraqitur nga ekipi drejtues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e Kryenegociatorëve”, shkroi Lajçak ndër të tjera në Facebook.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!