Pasi Prokuroria e Elbasanit, shpalli moskopetencë, grupi i Laert Haxhiut, do të hetohet në SPAK, nga prokurori i posaçëm, Behar Dibra.
Pritet që brenda ditës së hënë, SPAK t’i drejtohet Gjykatës së Posaçme për rivlerësimin e masave të sigurisë për grupin e Laert Haxhiut.
Bashkë më 11 të arrestuarit e tjerë ata akuzohen se janë autorë të 4 vrasjeve në Shqipëri dhe 2 të tjerave në Greqi, por edhe veprave të tjera penale, si porosi vrasjesh apo vendosje të lëndëve eksplozive, përfshi edhe kërcënimin me jetë të 2 prokuroreve, Doloreza Musabelli e Merita Selimi.
Goditja e grupit të Laert Haxhiut, erdhi pas arrestimit të një prej anëtarëve të bandës, Artan Tafanit, i cili u pendua dhe zbuloi 16 vepra penale që ishin kryer.
Disa prej ngjarjeve janë ende në proces verifikimi, ndërsa vetë Laert Haxhiu ndodhet i arrestuar në Greqi, në pritje të ekstradimit të tij në Shqipëri, pasi Gjykata e Apelit të Janinës dha dritën jeshile.
Në rrëfimin e tij, Artan Tafani, përveç krimeve të bëra nga grupi i Laert Haxhiut, ka zbuluar edhe dy linja të trafikut të kokainës, ndërsa pritet që SPAK, të zbulojë edhe emra të tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal./abcnews.al/