Lacio nuk e fiton dot derbin edhe pse godet 4 herë shtyllën

schedule23:15 - 1 Shtator, 2019

schedule 23:15 - 1 Shtator, 2019

Një derbi me shumë emocione, por edhe me përfundim të padrejtë, ai mes Lacios dhe Romës në Serinë A. Skuadra e shqiptarit Tomas Strakosha goditi katër herë shtyllën, por mori vetëm barazimin.

Duhej të kishte qenë ndryshe, dhe të kishte pasur një fitues. Emri i skuadrës që e meritonte mund të thuhet me zë të lartë nga të gjithë ata që e ndoqën derbin e kryeqytetit të Italisë në Serinë A, pikërisht Lacio.

Skuadra e trajnerit Inzagi, që ka në portë si numrin 1, gardianin e kombëtares shqiptare Tomas Strakosha, goditi katër herë shtyllat, por mundi të shënonte vetëm një gol.

Roma ndërkaq bëri më pak, edhe pse luajti gjithashtu një derbi të nivelit të lartë, duke goditur dy shtylla, e duke realizuar një rrjetë. Jo vetëm kaq, por ishte pikërisht Roma që kaloi e para në avantazh, kur në pjesën e parë fitoi një penallti, që e ktheu në gol Aleksandar Kolarov, ish-lojtar i Lacios.

Barazimi lacial erdhi pas pushimit me anë të spanjollit Luis Alberto. Skuadra e Strakoshës nuk u shpërblye për atë që dha në fushë, ndërsa shumica e tifozëve në stadiumin “Olimpiko” ishin pikërisht në krah të saj.

Gjithsesi, duket se trajneri Inzagi ka krijuar një ekip me autoritet dhe që për momentin, është më lart sesa Roma. Në renditje, Lacio ka 4 pikë pas dy ndeshjeve të para të kampionatit, ndërsa formacioni i trajnerit Fonseka ka vetëm dy pikë, pasi ka arritur dy barazime./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!