Lacio fiton Kupën e Italisë në finale ndaj Atalantës, por pati shumë polemika pas ndeshjes, për një penallti të padhënë. Tomas Strakosha i mori suksesin Berat Gjimshitit.
Kjo skuadër mund të quhet anti-Juventusi, të paktën për trofetë.
U bë e Lacios Kupa e Italisë pas finales së luajtur ndaj Atalantës në “Olimpiko” të Romës, dhe kryeqytetasit kanë tani 5 trofe në 10 finale në epokën e dominimit të plotë juventin.
Kjo ishte kupa e tretë që nga viti 2013, plus edhe dy superkupa, dhe njëri nga lojtarët standard të sukseseve, ka qenë pikërisht Tomas Strakosha.
Portieri i kombëtares shqiptare i ka fituar të 5 këto trofe, ndërsa këtë radhë ia doli përballë shokut të tij në përfaqësuese, Berat Gjimshiti.
Mbrojtësi kuqezi nuk mundi të ishte në formën maksimale këtë herë. Finalja ishte tepër e fortë, edhe pse po luhej në stadiumin e Lacios, dhe diferenca u bë vetëm në minutat e fundit, pasi trajneri Inzagi bëri zëvendësimet.
Milinkoviç Saviç shënoi në minutën e 82-të, ndërsa Korrea goditi pikërisht në minutën e fundit të kohës së rregullt. Gjithsesi, pati edhe një moment të dyshimtë, që mund ta kishte ndryshuar ndeshjen.
Bastos i Lacios preku topin me dorë në zonë, ndërsa ishte gjuajtje drejt portës. Penallti e pastër e padhënë për ekipin nga Bergamo, ndërsa lojtari lacial mund të kishte dalë me të kuq, nëse do të kishte marrë të verdhën e dytë.
“Gjyqtari Banti bëri një gabim të pafalshëm, shumë të rëndë, këtë mund ta pranoja përpara sesa të vendosej VAR-i, por tani jo, nuk mund të tolerohet. Topi preket me dorë nga mbrojtësi i Lacios në zonë, ndërsa po shkonte drejt portës, dhe nuk sinjalizohet asgjë. As nuk kontrollohen pamjet. Kjo është mungesë respekti për tifozët e Atalantës”, tha pas ndeshjes, trajneri i Atalantës, Gasperini.
Edhe mediat i bënë jehonë kritikave të tij.
“La Gazeta delo Sport”: Fluturim i Lacios, furi e Gaspit! Finalja e Kupës së Italisë, në “Olimpiko”, Lacio mund 2-0 Atalantën!
“Tutosport”: Triumf i Lacios, por është furi e Gaspit! Milinkoviç dhe Korrea i japin kupën në fund lacialëve, në pjesën e parë, mohohet penallti e pastër për Atalantën!
Gjithsesi, trajneri i Lacios, Inzagi, ishte tepër i lumtur me trofeun.
“Ishte e mrekullueshme që e fituam Kupën përpara tifozëve tanë, ishte një ndeshje e madhe, dhe duhet t’i bëj komplimentet e mia Atalantës, që luajti njëlloj si në kampionat. Natyrisht, na ndihmuan edhe zëvendësimet për të fituar. Mendoj se e merituam për gjithçka që kemi bërë këtë sezon”, u shpreh ai.
Lacio u barazua me Interin, me 7 kupa të Italisë, të fituara në histori, ndërsa Atalanta nuk e fitoi dot kupën e saj të dytë.
Gjithsesi, skuadra nga Bergamo, ku luajnë shqiptarët Gjimshiti dhe Etrit Berisha, është shumë pranë kualifikimit për në Champions, nëpërmjet Serisë A./ABC News Albania 24/7