Kukësi u ndal nga Laçi në javën e tretë të Superligës, duke mos arritur më shumë se një barazim 1-1. Në “Loro Boriçi” të Shkodrës, skuadra e trajnerit Duro shpëtoi nga humbja vetëm në minutat e fundit.
Kush mund të thotë se pretendentët fitojnë gjithnjë?
Partizani mezi fitoi në Gjirokastër në mesjavë, ndërsa Kukësi nuk e bëri dot as këtë, pasi u ndal nga Laçi.
Skuadra me pretendime, e trajnerit Duro dhe presidentit Gjici, ishte kryesuese deri para duelit të Superligës dhe luante ndaj njërit prej ekipeve të fundit të renditjes, por përfundimi nuk ishte i lumtur.
Barazim 1-1 në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, impiant që luajti ndeshjen e dytë në dy ditë, kjo për shkak të konservimit të “Elbasan Arenës” për përballjen e kombëtares ndaj Islandës në 10 shtator për Euro 2020.
Kuksianët u përpoqën më shumë sesa kurbinasit, por nuk ia dolën, madje edhe humbjen e shmangën fare në fund.
Padyshim që ata vazhdojnë të vuajnë faktin se ndeshjet shtëpiake po i luajnë në fusha asnjanëse, dhe ky është një justifikim i fortë, ndonëse nuk i pëlqen aspak presidentit Gjici.
Kukësit nuk i bën punë as emrat e rëndësishëm në formacion si Teqja, Kitanovski, Rroca, Ethemi, Gavazaj apo Shkurtaj, madje as Abazaj që hyri pas pushimit.
Skuadra mike, e drejtuar nga Sulejman Starova, kaloi në epërsi në nisje të pjesës së dytë me anë të sulmuesit Nuabueze, dhe kishte fitoren në dorë deri tri minuta para fundit.
Nënkampionët u shpëtuan nga Musta që shënoi një gol shumë të bukur nga jashtë zonës. Kjo ishte pika e parë e Laçit në këtë sezon të Superligës, ndërsa Kukësi është me pikë të barabarta me Tiranën e Teutën, nga 7 pas tri ndeshjesh./ABC News Albania 24/7