“Tiranën e vlerësojmë si kampione”, kështu shprehet mes të tjerash Shpëtim Duro, trajneri i Laçit kryesues të Superiores. Në prag të duelit me bardheblutë ai ka dhënë një intervistë me gazetarin e abcnews.al, Denis Lala, dhe e konsideron shumë të rëndësishme që kurbinasit ta kalojnë me sukses këtë duel të vështirë në shtëpi. Sigurisht nuk mund të mos flitet për lodhjen, pasi Laçi luajti 120 minuta në ndeshjen e Kupës kundër Partizanit në mesjave.
– Profesor, si është gjendja e skuadrës pas kualifikimit në Kupë?
– Gjendja e skuadrës është e mirë në aspektin psikologjik, pasi jemi kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë dhe njëkohësisht jemi në pozita të mira edhe në kampionat. Ka dy ditë që ka përfunduar ndeshja e kupës dhe ka qenë një ngarkesë jashtëzakonisht e madhe, është ndjerë në këto ditë. Kemi bërë stërvitje të lehta, rikuperuese, këto dy ditë. Kemi probleme, ka shumë futbollistë që janë të ngarkuar apo edhe të dëmtuar si Nwabueze që nuk do të jetë kundër Tiranës.
– A mendoni se do ketë ndikim te dueli me Tiranën?
– Normalisht lodhja është shqetësim, pasi ishin 120 minuta lojë. Patjetër ka ndikim. Shqetësim janë mungesat, Nwabueze nuk do të jetë përsëri. Fatkeq gjithë vitin, pasi gjatë periudhës që unë kam drejtuar ekipin më shumë nuk ka luajtur. Kemi Xhixhën, i cili pas 3-4 javësh do të jetë në stol, por nuk është ende në maksimumin e tij. Këto janë problemet, por të shikojmë nesër alternativat që kemi. Do mundohemi të bëjmë maksimumin në këtë ndeshje.
– Sa e rëndësishme është të fitohet kjo sfidë me bardheblutë dhe sa janë shanset që t’ia dilni mbanë?
– Tani çdo ndeshje është e rëndësishme, akoma edhe më shumë ndaj Tiranës që është kampione në fuqi. Fitorja do të na jepte pa diskutim moral dhe besim për vazhdimësinë deri në fund të kampionatit. Tirana është skuadër kampione, ka lojtarë cilësorë dhe me përvojë, ka bërë një investim serioz, por më shumë ka ndërhyrë në merkaton e janarit. Do ta respektojmë si Tirana që ka emrin dhe si kampione në fuqi.
– Çfarë mendoni se ka diçka më tepër Laçi se Tirana?
-Ajo që kemi më tepër është se jemi në pozita më të mira në kampionat dhe kemi kaluar në gjysmëfinale të Kupës, ndryshe nga ata që janë eliminuar. Jemi të parët, kurse ata shumë larg pretendimeve për titullin kampion. Këtë kemi në favor, kurse si skuadra do shikohet në fushën e lojës kush ka diçka më shumë. /abcnews.al