La profesionin për t’iu kushtuar thurjes së kallamave, ish-agronomi që bën mrekulli

schedule17:24 - 30 Korrik, 2022

schedule 17:24 - 30 Korrik, 2022

Nga Ardjana Mile

13 vite më parë Arjan Bregaj nga Topoja e Fierit braktisi profesionin e agronomit për t’iu përkushtuar thurjes së kallamave.

“Përfitova nga ferma se kam magazinën, e shfrytëzova, nuk kam prishur asgjë, janë prodhimet e kohës së Enverit. Kam arritur t’i shfrytëzoj me çunat e mi”, tregon ai.

Gjithçka ia merr natyrës.

“Nga produktet e dyta që ne mbledhim, një ndër to është edhe xunkthi, kjo përdoret si lëndë e parë për prodhimin e grilave në Itali”, thotë Bregaj.

Me kallamin që mbush kanalet, ai thur gjerdhe dhe i shet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në tregjet jashtë.

“Përdoren kryesisht për plazhe që janë të panumërta në Greqi.  Dalin gjëra shumë të bukura sepse dhe ata pas kësaj i përpunojnë me disa bojëra që dalin shumë herë më të bukura. Çfarë nuk bëhen, aty dhe shkallë portative”, thotë ai.

Na tregon edhe disa nga sekretet e punës së tij.

“Përpunimi fillestar është qërimi ë kallamit. Qërohet dhe me dorë dhe me makineri. Po këto e duan pak të thatë, e duan pas orës 10:00.  Prerja dhe e fundit është qepja. sipas kërkesave që kanë ata”, tregon Bregaj.

Sot Arjani punën nuk e bën më i vetëm. Ai ka punësuar 25 banorë.

“Minimumi ushqehen 200 familje. Gjithësecili ka pjesën e tij të kanalit dhe pastron vendin dhe e shet, merr diçka”, thotë ai.

Me përpunimin e kallamave ka ngritur një cikël të mbyllur: asgjë nuk hidhet nga mbetjet, por përdoret. Profesioni si agronom e ka ndihmuar t’i gjej zgjidhjen edhe mbeturinave nga pastrimi i kallamave: i djeg dhe me hirin e tyre krijon një pleh organic, aq i dobishëm për serat. /abcnews.al