La Liga nis me derbi, gazetari spanjoll zbulon planin për futbollin

schedule18:20 - 28 Maj, 2020

schedule 18:20 - 28 Maj, 2020

La Liga nis më 11 qershor. Autoritetet kanë dhënë “OK”-in që të luhet futboll që prej 8 qershorit, por pas takimit të sotëm mes 42 klubeve të La Liga dhe Segunda Division, presidenti Javier Tebas ka konfirmuar që kampionat të nisë të enjten e 11 qershorit.

Takimi i parë do të jetë një derbi, mes Sevilla dhe Betis, ndërkohë që gara do të mbyllet më 19 korrik. Ky është lajmi që vjen nga gazetari Pedro Fullana, ndërkohë që gjatë mbledhjes së sotme janë marrë disa vendime në lidhje me vazhdimësinë e kampionateve.

Zbatimi i protokollit është një nga porositë kryesore që klubet kanë marrë, ndërkohë që kërkohet të ketë kontrolle sa më të shumta për të shmangur përhapjen e koronavirusit. Ndër vendimet e marra është se ndeshjet do të luhen në ditë të ndryshme, deri në javët e fundit, kur të gjitha takimet zhvillohen në një ditë dhe në një orar.

Faza play-off për skuadrat që tentojnë të ngjiten në La Liga do të zhvillohet deri më 2 gusht. Një tjetër lajm i mirë është se duke nisur nga java tjetër, ekipet mund të stërviten normalisht. Kështu, edhe La Liga është drejt rikthimit, pas Bundesliga. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!