Dy vjet më parë, xhudisti i njohur iranian, Mollaei, u largua nga vendi i tij pas kërcënimeve me vdekje. Ai denoncoi federatën se e kishte ndaluar të ndeshej me një xhudist izraelit, pasi Irani ndalon ccdo lloj kontakti me qytetarët izraelitë. Por tashmë që ai garon në flamurin e Mongolisë, ka mbërritur pikërisht në Tel Aviv për sfidën e radhës kundër një izraeliti
“Moment historik. Kështu e përshkruajnë në Izrael mbërritjen e xhudistit iranian Said Mollaei, kampion bote në vitin 2018, i cili zbarkoi mëngjesin e të hënës në Tel Aviv, për të marrë pjesë në garën e “Xhudo Grand Slem”, së bashku me qindra atletë nga 63 vende të ndryshme të botës
Në vitin 2019 Mollaei kishte marrë statusin e refugjatit në Gjermani, pas kërcënimeve që mori kur merrte pjesë në kampionatin botëror të Tokios. Vetë shteti i tij i bënte presion që të humbiste qëllimisht në gjysmëfinale, për të shmangur përplasjen me xhudistin izraelir Sagi Muki, i cili atë vit mori medaljen e arit.
I shkatërruar nga kërkesa më absurde që mund t’i bëhet një sportisti, ai nuk u rikthye më në Iran, duke vazhduar garat me statusin e refugjatit për komitetin olimpik ndërkombëtar dhe më pas me flamurin e Mongolisë, që i dha nënshtetësinë.
Së bashku me të në Tel Aviv ishte dhe trajneri i përhershëm, Mohamed Mansuri, trajner dhe i kombëtares iraniane të xhudos. Dhe ai jetonte në azil në Gjermani. Në një intervistë për mediat një vit më parë, Mansuri tregonte se kishte humbur motivimin për punën e tij pas humbjes së qëllimshme të Mollaei në Japoni, duke theksuar se ky nuk ishte incidenti i parë i këtij lloji përgjatë karrierës së tij sportive.
Federata ndërkombëtare e xhudos e pezulloi për një kohë të pacaktuar Iranin, pas asaj që ndodhi në Tokio. Mollaei dhe Sarlak – një tjetër xhudist i famshëm iranian, të cilit i kishte ndodhur e njëjta gjë në vitin 2009 – dëshmuan kundër vendlindjes së tyre në gjykatën Arbitrare të sportit në Lozanë.
Federata vendosi se xhudistët kishin qenë nën presion të drejtpërdrejtë. Tashmë pikërisht në Tel Aviv, Mollaei shpreson të garojë kundër Muki, edhe pse tashmë ata janë miq në jetë, por gjithnjë rivalë në ring.
Denoncimi publik i Mollaei, ishte më mediatiku i një serie të gjatë bojkoti nga ana e atletëve izraelitë. Episode të ngjashme janë verifikuar dhe me atletë arabë, në mënyrë të veçantë nga Libani, ku dhe është në fuqi një ligj që iu ndalon çdo lloj kontakti me qytetarë izraelitë. /abcnews.al