La infermierinë, u bë kasape/ Hallaçi: Nuk jam penduar, doja të kisha punën time

schedule20:15 - 25 Nëntor, 2023

schedule 20:15 - 25 Nëntor, 2023

Steriotipet i ka lënë mënjanë dhe prej 5 vitesh ushtron zanatin e kasapit. Kjo është Mirela Hallaçi nga Kukësi.

Ka përfunduar me rezultate mjaft të mira studimet e larta për Infermieri të Përgjithshme, por ka zgjedhur të punojë në biznesin e saj.

“Unë kam mbaruar për Infermieri të Përgjithshme me nota shumë të mira, por për mendimin tim, zanati i infermierisë ka qenë shumë i mirë për mua, por kam pasur qejf që të punoj në punën time më mirë.”

E nisi si ndihmëse në dyqanin e bashkëshorit dhe sot menaxhon gjithë biznesin.

“Çdo gjë e bëj vetë, vetëm me punën e mishit merret bashkëshorti. Çdo gjë që vjen në dyqan, unë e bëj vetë, me prodhim, me qofte, me suxhuk, çdo gjë e bëj vetë. Kam edhe punëtorë, por kam qejf që ta shoh edhe vetë.

Nuk pendohet që e ka braktisur infermierinë, thotë se punën që bën e dashuron.

“Edhe pse nuk e ha fare mishin, është profesion shumë i mirë. E kam trashëgimi nga babai.”

Fillimet nuk kanë qënë të lehta, madje është ndeshur në habinë dhe paragjykimet e banorëve të Kukësit.

“Ka pasur raste shumë, më thonë si e menaxhon këtë punë. E bëj me dëshirë shumë të madhe, kam qejf t’i rri në krahë edhe bashkëshortit.”

Puna është e rëndë, qëndron në këmbë deri në mbrëmje vonë dhe nuk ka asnjë ditë pushim.

“Për pushime, nuk kam asnjë ditë pushim.”

Mirela është nënë e 6 fëmijëve dhe në atë pak kohë që i mbetet mundohet t’ju përkushtohet të vegjëlve.

“Është shumë e vështirë, por arrij ta menaxhoj shumë shpejt. Mundohem me sakrifica, me mund që t’ia arrij”.

Mëgjithatë nuk i mungon ndihma e familjarëve të bashkëshortit. Edhe pse lodhja është e përditshme ndaj klientëve, tregohet e kujdeshme duke u munduar t’ju plotësojë çdo kërkesë.

“Më kanë respektuar dhe më respektojnë shumë. Klienti sot është si mbret, po e respektove, të vjen nesër.”

Mirela, kasape prej 5 vitesh, u bën thirrje të rinjve që synojnë largimin jashtë kufijve, që të angazhohen me punë në vendin e tyre, të mos druhen nga komplekset dhe steriotipet pasi çdo punë thotë ajo, është nder./abcnews.al