La fushën i përlotur ndaj Andorrës, mësohet shkalla e dëmtimit të Albion Rrahmanit

schedule13:16 - 13 Tetor, 2023

schedule 13:16 - 13 Tetor, 2023

“Dardanët e Kosovës arritën një fitore spektakolare, mbrëmjen e së enjtes, që sapo lamë pas, teksa mundën në transfertë me rezultatin e pastër, 3 me 0, përfaqësuesen e Andorrës, në përballjen e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024.

Mirëpo, jo gjithçka ka shkuar “vaj”, për djemtë e teknikut, Primoz Gliha, me “bomberin” Albion Rrahmani, i cili doli mes lotësh nga fusha e blertë, pas një dëmtimi të pësuar, në pjesën e dytë të sfidës.

Pas këtij dëmtimi ka reaguar dhe Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët me anë të një komunikate kanë bërë me dije, se pas përfundimit të ekzaminimeve mjekësore ka rezultuar se 23-vjeçari ka pësuar frakturë në kyçin e këmbës së djathtë e për këtë aryse do t’i nënshtrohet një operacioni.

Njoftimi i plotë i Federatës së Futbollit të Kosovës:

Në ndeshjen e mbrëmshme Andorrë-Kosovë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, sulmuesi ynë Albion Rrahmani ka pësuar lëndim, me ç’rast menjëherë është dërguar për ekzaminime mjekësore në spitalin e qytetit në Andorra La Vella. Pas këtyre ekzaminimeve ka rezultuar se ai ka pësuar frakturë në kyçin e këmbës së djathtë dhe do t’i nënshtrohet operimit.

Të gjithë bashkëlojtarët dhe stafi i Kombëtares kanë qenë të prekur nga lëndimi i Albionit, por presin që ai ta kalojë sa më shpejtë periudhën e rehabilimit dhe të kthehet edhe më fuqishëm për ta treguar talentin e tij në skenën ndërkombëtare.

FFK është e përkushtuar që të kujdeset për shëndetin dhe mirëqenien e Albionit dhe do të bashkëpunojë ngushtë me klubin e tij Rapid Bukuresht dhe ekspertët mjekësorë për të siguruar që operacioni dhe rehabilitimi i tij të jetë sa më i suksesshëm. /i.m /abcnews.al