Kyrian Nwabueze sërish lokomotiva, golat e Superiores të “importuar”

schedule12:57 - 1 Dhjetor, 2020

schedule 12:57 - 1 Dhjetor, 2020

Kyrian Nwabueze ishte goditja e madhe e Laçit sezonin e shkuar. Nigeriani me pasaportë amerikane shënoi 24 gola dhe u bë lojtari i dytë në historinë e bardhezinjve që fitonte “Këpucën e Artë”. Edhe këtë sezon sulmuesi e nisi me gol, por më pas u frenua.

Duhet të vinte java e pestë, që Nwabueze të realizonte sërish. Sulmuesi shënoi tre gola në portën e Apolonisë dhe menjëherë mori kryesimin në listën e golashënuesve. Katër gola për sulmuesin, që la pas vetes Devid de Santana Silva, Ismael Dunga dhe Agim Ibraimi. Të tre kanë realizuar nga tre gola.

Dy të parët nuk kanë shënuar asnjë gol nga penalltia, ndryshe nga Ibrahimi që ndëshkoi Vllazninë javën e fundit. Anësori i djathtë ishte një nga prurjet e kësaj vere në Superiore, pasi një eksperience te Shkëndija e Tetovës në Maqedoninë e Veriut.

Sigurisht është herët për të thënë se kush do të jenë favoritët për “Këpucën e Artë”, pasi me nga dy gola janë edhe sulmues të tjera si Muçi, Xhixha, Solomon, Cardoso, Dilaver dhe Plaku. Ajo që vihet re, është se në krye të golashënuesve për momentin janë lojtarë që nuk kanë pasaportë shqiptare. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!