Laçi u rikthye në Superiore në vitin 2009 dhe prej atëherë ka qëndruar në elitë, duke siguruar pjesëmarrje në kupat e Europës përmes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë. Që të kesh sukses duhet dikush që shënon gola dhe i pari që shkëlqeu ishte Arlind Nora.
14 gola të shënuar në sezonin e rikthimit në Superiore dhe Laçi i Stavri Nicës për herë të parë mund të luante në kupat e Evropës. Ai rekord i gjirokastrit mbeti në fuqi deri dy sezone më parë, edhe pse James Adeniyi iu afrua thyerjes. Do e kishte thyer, por në mes të sezonit u shit te Skënderbeu.
Artur Faite Reginaldo ishte ai që hyri në historinë e Laçit, një klub modest gjatë historisë së tij, por që në periudhën e Pashk Laskës si president, ia ka dalë të jetë faktor në elitën e futbollit shqiptar. Sulmuesi nga Mozambiku shënoi 18 gola dy sezone më parë.
Ai nuk mund ta fitonte “Këpucën e Artë” me kurbinasit, trofe që me fanellën e Laçit e ka marrë vetëm Altin Çuko. Para shumë vitesh, në sezonin 1995-1996, ishte sulmuesi Altin Çuko, i cili me fanellën e Laçit realizonte plot 16 gola.
Lushnjari është i pari dhe i vetmi futbollist që me fanellën e kurbinasve ka dalë shënuesi më i mirë në elitën e futbollit shqiptar. Atë sezon ai e mbyll me 21 gola, pasi në pjesën e parë të kampionatit kishte realizuar 5 herë me fanellën e Tomorit, ndërsa te bardhezinjtë realizoi pjesën tjetër të golave.
Çuko, me 16 gola mbante rekordin e golave të shënuar brenda një sezoni me Laçin. Rexhinaldo e kaloi i pari dhe tani sulmuesi nga Mozambiku është barazuar nga Kyrian Nwabueze. Amerikani është në garë për Këpucën e Artë, pasi dy gola më pak se Vasil Shkurtaj (20 gola).
Ai mund të thyejë rekordin e Reginaldo, madje që këtë fundjavë. Sigurisht dëshira ëshët e madhe që ta parakalojë vlonjatin e Kukësit dhe në fund të jetë ai futbollisti me më shumë gola në Superiore. Një dëmtim e penalizoi, por gara është e hapur, sidomos që tani Shkurtaj është i dëmtuar dhe nuk dihet saktësisht kur do të jetë gati. /abcnews.al