Admistratori i OSHEE, Enea Karakaçi ka treguar si ishte ky vit në sektorin e energjisë. I ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit”, ai e ka konsideruar situatën normale, krahasuar me vitet e mëpërparshme.
Sipas Karakaçit, qëllimi kryesor lejoi që të gjithë konsumatorët mos të prekeshin nga rritja e krizës.
“Ky vit vjen pas disa vitesh radhazi që ishte një situatë jo normale. Vijmë pas një situate krize globale energjike, ku kemi parë vitin e shkuar, çmime që shkonin deri në 1 mijë euro, të pazakonta dhe të papara ndonjëherë. Sidoqoftë kjo krijoi një trysni shumë të madhe, sidomos ndaj kompanisë KESH por dhe nga të gjitha kompanive të sektorit që frenuan investimet dhe u futën në tkurrje për të menaxhuar situatën. Tema e vitit të shkuar ishte mbrojtja e konsumatorit dhe mbajtja e të njëjtave çmime siç kanë qene para krizës.
Sigurisht që kjo ndodhi falë dhe ndihmës së qeverisë shqiptare që injektoi fonde direkte për të importuar energji KESH pa u prekur tarifat. Qëllimi kryesor na lejoj që të gjithë konsumatorët mos të prekeshin nga rritja e krizës. Ky vit ka pasur çmime më të larta se para krizës, por të stabilizuara.
Fatmirësisht për shkak të mirëmenaxhimit të të tre kompanive publike KESH, OSHEE dhe OST, ne gjendemi në një situatë të mirë dhe të kënaqëshme në fund të vitit. Ndikuan moti shumë i keq në zona me dëborë, por fatmirësisht të gjitha këto difekte u riparuan në kohë rekord”, tha ndër të tjera Karakaçi./abcnews.al