Kuvendi pritet të miratojë në seancën e posaçme të së enjtes rezolutën për sulmin në veri të Kosovës. Maxhoranca dhe grupi parlamentar i Sali Berishës u tërhoqën nga draftet fillestare dhe prodhuan një dokument të përbashkët me tre pika. Rezoluta do të miratohet pas 5 orësh debat parlamentar.
Rezoluta e përbashkët parashikon mbështetjen plotësisht të Rezolutës të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023.
Në pikën e dytë, Parlamenti kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës.
Në fund, Shqipëria inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.
Por PD zyrtare nuk bie dakord me këtë projekt rezolutë. Nënkryetari Kreshnik Çollaku e ka quajtur pazar të shumicës me Foltoren, pasi sipas tij, deklarata ka shkarkuar te gjitha akuzat ndaj Beogradit dhe në mënyrë të thatë thjesht ka mbështetur pa komente rezolutën e Kuvendit të Kosovës./abcnews.al