TIRANË- Janë pjekur të gjitha kushtet, që Shqipëria të ketë më në fund një reformë zgjedhore serioze. Kështu u shpreh kreu i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi gjatë një diskutimi me gazetarët, ku veç tjerash dha informacione për zgjedhjet e pjesshme në Kukës që mbahen më 24 shtator.
Ai tha se sistemi i administrimit të zgjedhjeve duhet të modernizohet dhe partitë politike nuk duhet të kenë fuqinë përcaktuese në këtë proces. Kjo qasje shtoi Celibashi do të rriste integritetin e procesit zgjedhor në Shqipëri.
Për një reformë të tillë, Celibashi tha se duhet t’u merren mendimet të gjithë aktorëve, me qëllim që produkti final të jetë sa më i “shëndetshëm”.
“Ka ardhur koha që reforma zgjedhore të jetë serioze, sepse ka nevojë sistemi I administrimit të zgjedhjeve të modernizohet dhe të këtë më shumë qartësi dhe më shumë transparencë, gjë që përkthehet më shumë integritet në procesin zgjedhor dhe për këtë mendoj se të dëgjohet zëri qoftë i KQZ , por edhe i aktorëve të tjerë jashtë politikës, Në duhet të ndryshojmë mënyrën se si e administrojmë procesin, sidomos në nivelet e dyta dhe të treta. Ne duhet të heqim dorë nga administrimi politik në qendrat e votimit dhe në KZAZ. Ka ardhur koha, prej kohësh, që partitë politike nuk do duhet të jenë të vetme, por do duhet që ato të mos kenë të gjithë të drejtën për të administruar procesin zgjedhor në nivele të dyta dhe të treta. Kjo është domosdoshmëri dhe shpresoj që të ndryshojë në të ardhmen. Pastaj për çështjet të tjera, ka plotë gjëra që kanë nevojë për t’i adresuar, përfshirë këtu edhe shit-blerjen e votës”, theksoi ai.
Gjatë fjalës së tij, Celibashi i kujtoi Kuvendit detyrimin e tij kushtetues që të shprehet në lidhje me votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
““Mbetet detyrimi i Kuvendit, që tej çdo diskutimi që mund të këtë secili prej nesh, është detyrim kushtetues që brenda dhjetorit të këtij viti do dihet t’i japë zgjidhjen çështjes së votimit nga jashtë. Do duhet të vendosë në të drejtën e vet. Duhet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sikundër edhe vendimet e gjykatës që ka shfuqizuar disa paragrafe të Kodit Zgjedhor, që lidhen me llogaritjen e mandateve dhe votën preferenciale”, tha ai./ n.m.abcnews.al